Mungojnë 160 milionë dollarë në buxhet. Të ardhurat nuk u realizuan. Analiza e vetme qe bëhet është: e ka fajin informaliteti dhe evazioni. Të shpallim luftë ndaj atyre që i përvidhen shtetit. Dhe kështu u lajmërua operacioni i qershorit. Ajo që duhet të jetë puna e përhershme “vitalizohet” si aksion politik me goditje të përqendruar. Kryeministri në vetë të parë po investohet për suksesin e këtij aksioni. Dje dhe sot ai ka postuar në profilin e vet në Facebook, tabela ilustruese se çfarë sjell legalizimi i biznesit dhe pagesa e detyrimeve. Me fjalët e tij po e përcjellim: “LUFTA E PËRBASHKËT ME INFORMALITETIN DO TË NA JAPË MUNDËSINË TË RRISIM RROGAT DHE ULIM TAKSAT. Shembujt dhe shifrat ndihmojnë për të kuptuar se sa shumë kemi bërë në 20 muaj në luftën kundër informalitetit, por edhe se sa e madhe është mundësia që na jep më tutje një luftë frontale, e përbashkët, e çdo qytetari që do rritje rrogash dhe e çdo biznesi që do ulje taksash, kundër atyre që vjedhin konsumatorin duke mos dhënë kuponin fiskal për atë që shesin si edhe atyre që u bëjnë konkurencë të pandershme biznesve të rregullta duke shmangur taksat”. Pra fitorja mbi këtë plagë të madhe do të sjellël rritje rrogash dhe ulje taksash. Parimisht është patjetër kështu. Dhe parimisht qeveria ka të drejtë të kërkojë mbledhjen e detyrimeve.

Paradokset e deklaratave për ulje taksash
Ka gjithsesi dy momente që meritojnë vëmendje: së pari kemi 2 vjet që dëgjojmë një njeri të vetëm që këmbëngul të thotë se “ne kemi ulur taksat për 97% të shqiptarëve”. Ky është Edi Rama, kryeministri, i cili e ka mbrojtur në vijimësi këtë version. Nëse është kështu atëherë ulja e taksave do të jepte minimumi si efekt të vetin, rritjen e kontributeve dhe pagesën e detyrimeve, fiskalizimin e një mase biznesi. Në fakt siç pohon qeveria kjo nuk ka ndodhur. Së dyti, qeveria do të duhet të thotë se sa do të jetë kjo ulje, sa do të jetë rritja e rrogave, pasi pranohet se qeveritë ecin përgjithësisht me plane dhe parashikime. Është e nevojshme vendosja e këtij dialogu me njerëzit pasi indeksimi i pensioneve me 1.4% që ndodhi së fundmi, është në çdo pikëpamje ironi me të hedhur duart në qafë.

Model i ri ekonomik?!!!
Ajo që deklaron kryeministri se situata e tanishme është pasojë e një ndryshimi në modelin ekonomik, është shumë e pabesueshme. Ose për të qenë korrekt: e paargumentuar. Por edhe nëse është kështu, pse vallë duhet që përgjigja ndaj efekteve anësore që jep ndryshimi i modelit ekonomik – i paparashikuar ky, habitërisht – mendohet të jetë “represioni” në mbledhjen e detyrimeve dhe fiskalizimi? Mos vallë kërkohet diçka më e thellë, strukturore për të adoptuar modelin motak që doli rrugës me politikat fiskale?

Shembulli i “harruar”: Kur mungonin 150 milionë dollarë nga energjia...
Le të besojmë për një moment se këto që na thuhen janë të gjitha të vërteta. Dhe le të themi se në çdo rast besojmë se qeveria ka dëshirën për të bërë diçka mirë, për të rregulluar punën, pavarësisht sesa gjërat ecin ashtu siç ajo parashikon. Por është historia e shkurtër e kësaj qeverije që ka votëbesim masiv nga qytetarët, që të vë në dyshime. Rasti më i freskët është ai i aksionit për energjinë. Lexoni se çfarë ka thënë kryeministri Edi Rama për bilancin e atij aksioni. Dhe i ka thënë në janar të këtij viti në një intervistë për emisionin “Shqip” të Rudina Xhungës: “Nese te gjithe paguajme energjine i japim mundesine ketij vendi qe te investoje shume me teper per te gjitha gjerat qe kemi nevoje, se me te drejte njerezit mund te thone spitale me te mira, shkolla me te mira, sherbime me te mira, por te gjitha keto duan para dhe keto para nga vine? Mjafton qe te kuptojme boll mos ta vjedhim energjine dhe i kemi dhene vetes menjehere mundesine qe te kemi 150 milione euro ne vit per te investuar, per te marre vesh se çfare i kemi bere ne vetes gjithe keto vite…Njerezit duhet te kuptojne qe çka ata po paguajne sot per energjine do te kthehet ne nje sherbim me te mire, edhe te vete energjise. Duhet operacion per te shpetuar nga e keqja qe ke brenda. Pastaj mbi kete baze qe ne po vendosim, paralelisht do te fillojme te bejme rikuperimin. Per here te pare po bejme investime ne sektor, masive. Do te kalojme, besoj, ne muajin shkurt ne nje lajm te mire, por qe kemi disa muaj qe po punojme”.
Pra mungonin 150 milionë, rikuperimi i të cilave do të sillte shërbime dhe shkolla e spitale më të mira. Sot mungojnë 160 milionë(jo për faj të Saliut tashmë) dhe premtohet se do të rriten rrogat dhe ulen taksat. Duke marrë këto qëndrime si një vijë sjelljeje që përcakton raportin mes qeverisë dhe qytetarëve, lind e drejta për të pyetur: “Z. Kryeministër, a e besoni veten, kur e dëgjoni çfarë keni thënë?”
s.z