"…Gjafsha ty dhe çuni i Sali Berishës nuk ja hudhë sytë  që nuk mja vle që të kam më të bukur ty  jo zejbëj që me përmen jeta ime mos me e hum se jetën time ta kam kushtu ty ti në gjoftë se nuk të pëlqej më hep helm ose kur të vij ke shpija jote ti laj të gjitha..”.

Kjo është një nga SMS-të e që e përditshmja Panorama vijon të botojë prej 2 ditësh dhe është shkruar nga 18 vjeçara Nazime Visha, vajza e arrestuar për vrasjen e 45-vjeçarit Fiqiri Muça. Nazime Visha pretendon se e ka qëlluar Muçën për vetëmbrojtje. Ajo thotë se ai e ka rrëmbyer e përdhunuar që kur ka qenë e vogël. Por këto SMS-të - (mund të debatohet gjithë ditën për etikën e botimit, por në këtë rast duhet parë nëse këto ndihmojnë për të ndriçuar autorësinë e vërtetë të vrasjes) - tregojnë se mes Nazimes dhe Fiqiriut ka pasur një histori dashurie. Avokatja e vajzës flet për Sindromin e Stokholmit (vajza ka shfaqur  ndjenja ndaj dhunuesit të saj) por skema është komplikuar edhe më shumë pasi taksisti që solli Fiqiriun nga Durrësi në Tiranë natën e krimit, ka dëshmuar, se përpara tij kanë dalë tre vetë dhe jo vetëm vajza. Kjo ka shtuar dyshimet se mund të mos jetë vajza që ka qëlluar mbi Fiqiriun (siç dyshojnë edhe familjarët e këtij të fundit).

Kështu apo ashtu, krimi dhe historia njerëzore fshehur pas tij kanë mbajtur pezull shqiptarët, njësoj si telenovelat turke që thonë se po kanë sukses të madh kohët e fundit në TV-të shqiptare. Për Ardian Vehbiun psh, kjo është një "një vrasje banale, një narrativë e melodramatizuar nga media të kategorisë së tretë".

Shkruan Vehbiu: …Vrasja – një mes të shumtave – që kap kryetitujt e mediave: një vajzë fare e re vret të dashurin e vet. Thuhet se “ai” e kish rrëmbyer, se e mbante me forcë, se e mbante si skllave seksi; se kërkonte ta trafikonte, ta çonte përtej detit, ta shiste si robinjë. Nga të gjitha anët burojnë mesazhe përgëzimi për gjestin dhe thirrje që autores t’i njihet pafajësia. Një ditë më pas, mediat e çojnë një shkallë më lart histerinë e informimit, duke shtënë në dorë dhe bërë publike mesazhet SMS të shkëmbyera mes viktimës dhe “viktimës” – ku nuk mungojnë hollësitë erotike dhe ethet epshore të një çifti kapur peng i vetvetes. Lexuesi nuk di nëse të zhgënjehet me këtë dhunim të ri që i bëhet vajzës së re, pavarësisht nëse vrasëse apo heroinë, femme fatale apo viktimë, ëngjëll apo demon; apo të zhgënjehet me personazhin vetë, që sakaq duhet zbritur nga piedestali prej shënjtoreje të dëlirë, ku e kishin hipur vetëm një ditë më parë. Një vrasje banale, një narrativë e melodramatizuar nga media të kategorisë së tretë, një motiv hakmarrjeje i risjellë në mënyrë më të pranueshme nga të njëjtat mendje të ngecura në Kanun, një mori viktimash të llojeve të ndryshme, që ia përcjellin fajin njëra-tjetrës thjesht për t’u ngushëlluar. Vapë e madhe këtë verë… (A.N.)