Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, doli sot për të sqaruar versionin e qeverisë për çështjen e azilit. Po rendisim atë që tha ministri:
1. Nuk ka sot një vend të vetëm në rajon ku partitë opozitare ta shfrytëzojnë emergjencën e emigrantëve nga vendet e konflikteve të thella, dhe në këtë kuadër, edhe të azilkërkuesve të paligjshëm, për të keqpërdorur dhe për të nxjerrë përfitime politike ditore.
2. Ne jemi tërësisht të përgatitur për të parandaluar dhe frenuar fenomenin e azilkërkimit.
3. Policia e Shtetit dhe MPB, kanë hartuar dhe po zbatojnë çdo ditë një plan masash të detajuar për të adresuar këtë fenomen në themel.
4. Është hartuar dhe po zbatohet një plan i veçantë masash në pikat e kalimit kufitar, duke respektuar në mënyrë rigoroze kërkesat e BE-së dhe rregullat e lëvizjes së lirë të shtetasve në hapësirën Shengen.
5. Në këtë kuadër, si ndihmë shtesë dhe si provë e bashkëpunimit intensiv të Policisë së Shtetit me Agjencitë partnere, oficerë të Policisë gjermane po bashkëpunojnë ditë për ditë dhe intensivisht me oficerët e policisë shqiptare në kufi, në kuadër të programeve të BE-së, FRONTEX, për ekspertizë më të specializuar në kontrollin e daljes së shtetasve që udhëtojnë në vendet e BE-së.
6. Si pasojë e kërkesave rigoroze për respektimin e rregullave të lëvizjes së lirë në zonën Shengen, është rritur ndjeshëm numri i personave që u është refuzuar dalja nga vendi ynë për shkak se nuk kanë plotësuar kërkesat e BE-së lidhur me lëvizjen e lirë në zonën Shengen.
7. I kam kërkuar gjithashtu homologut tim që të rishikohet mënyra, përmasa dhe lloji i ndihmës ditore sociale gjë që do të dekurajonte iniciativën për të kërkuar azil qoftë edhe për të përfituar për aq pak kohë ndihmë sociale për aq kohë sa azil kërkuesit rrinë e presin përgjigjen definitive të autoriteteve të shtetit pritës.
8. Dua t’ju bëj me dije ju se nga analiza e të gjitha të dhënave dhe informacioneve që ka Policia e Shtetit, autoritet tona dhe në shkëmbim intensiv informacionesh që ofrojnë vendet partnere, rezulton se shumica dërrmuese e qytetarëve që kërkojnë azil janë shtetas shqiptarë me banim të përhershëm në një nga vendet e BE, pra emigrantë shqiptarë me banim të përhershëm në një nga vendet e BE që shpërngulen nga ai vend për të kërkuar azil në Gjermani ose në një vend tjetër të BE.
9. Rritja me 0.6% në shtatë muajt e parë të këtij viti do të thotë trendi natyral i lëvizjes së lirë të shtetasve shqiptar në vende e BE-së dhe nuk i përgjigjet fare rritjes së azilkërkuesve në Gjermani apo në vendet e tjera të BE.
Shënim: Secili është i lirë t’i besojë ose jo ministrit në fjalë.

Disa pyetje...

1. Nëse nuk ka fluks shqetësues nga Shqipëria, përse vendosen në kufi me Greqinë policë gjermanë?
2. Ministri thotë se ata janë në kuadër të FRONTEX. A është e vërtetë kjo dhe a mund të bëhet publike marrëveshja?
3. Pse Gjermania flet për mundësintë rikthimit të vizave me Shqipërinë kur nuk ka fluks nga vendi ynë?
4. Emigrantët shqiptarë që jetojnë jashtë vendit, edhe nëse kërkojnë azil, nuk e bëjnë këtë duke shkelur rregullat e Shengenit, pasi ato posedojnë dokumenta me të cilat lëvizin lirisht dhe pa kufizim qëndrimi brenda hapësirës Shengen. I kujtojmë z. Ministër që dokumentet e qëndrimit në vendet e BE-së nuk kanë nevojë për vaksinimin 90 ditor që ka pasaporta shqiptare, pronë e Ministrisë së Brendshme
5. Mbi cilin kriter nuk janë lejuar të kalojnë kufirin qytetarët shqiptarë kur nuk ka asnjë emergjencë nga Shqipëria?

Çfarë thotë pala gjermane

Po përcjellim atë që ambasada gjermane i tha “ResPublica” para disa javësh për këët temë. “Që prej datës 16 korrik 2015 janë vendosur në Shqipëri dymbëdhjetë punonjës së Policisë Federale, të cilët kryejnë shërbimin e tyre së bashku me kolegët shqiptarë në pikat e kalimit të kufirit me Greqinë, Kapshticë dhe Kakavijë. Qëllimi i misionit është shkëmbimi i përvojave dhe mbështetja e policisë kufitare shqiptare. Punonjësit e Policisë Federale mbështesin me konsulencë kolegët e tyre shqiptarë në mënyrë të vecantë gjatë mbikqyrjes dhe kontrollit në kufi, me qëllim luftën e migracionit ilegal dhe krimit ndërkufitar. Ky mision i policëve federalë bazohet mbi një marrëveshje të shkruar, të lidhur ndërmjet Presidentit të Policisë Federale Gjermane Dr. Romann dhe Drejtorit të Përgjithshëm për Kufirin dhe Migracionin Genc Merepeza. Misioni i policëve federalë për mbështetjen e kolegëve shqiptarë merr rëndësi më shumë edhe për faktin se Gjermania është një shtet, i cili ka përvojë të madhe në luftën e migracionit ilegal dhe është një nga shtetet më të prekura për momentin nga ky fenomen”. Pra Shqipëria është burimi dhe jo Greqia apo Italia. Këtu nuk po përmendim deklaratat e ministrit të Brendshëm gjerman, deklarimet e herëpashershme të ambasadorit gjerman në Tiranë. Por ndoshta dacka për këtë qeveri që gënjen do vijë në Vjenë.