Në datën 22 gusht 2015, “ResPublica” publikoi një shkrim me titull: “Ide të vjetra mbi të rinjtë”, me autor Rudolf Marku(http://www.respublica.al/2015/08/22/ide-të-vjetra-mbi-të-rinjtë). Siç mund të lexohet në fund, shkrimi është huazuar nga faqja online e gazetës “Mapo”. Ata që janë ndjekës të “ResPublica” e dinë që qysh në fillesë të saj, apo diçka pas fillimit të jetës së saj si faqe, në rubrikën “Opinion” janë postuar edhe shkrime të huazuara nga faqe të tjera, kryesisht nga faqet e gazetave. Është një praktikë që tanimë përdoret gjerësisht, ndonëse kjo nuk përligj atë si praktikë. “ResPublica” është ndër faqet e para që ka ndjekur edhe praktikën e shënimit mbi një opinion, duke u përpjekur të vërë në dukje një mendim apo qëndrim, që përndryshe mund të “humbiste” në rrjedhën e një teksti integral të opinionit. Kjo e dyta, është praktikë më pak “kompromentuese” edhe me autorë, apo media që nuk pëlqejnë që t’u huazohen shkrime. Sepse duhet të themi që ka autorë që kanë pëlqyer dhe vijojnë të pëlqejnë publikimin e shkrimeve te “ResPublica”. Ky parashtrim bëhet për të sqaruar një moment që sillet në vëmendje nga faqja online “Postbllok.com”, lidhur me shkrimin e sipërpërmendur.

“Zakonisht banorët e botës së artit ose të spektaklit televiziv, të mësuar me adrenalinën e të qenurit në qendër të vëmendjes, kryejnë veprime e bëjnë zgjedhje që përkohësisht i tejkalojnë aftësitë dhe profesionin...Pozicioni qendror ne vëmendjen publike ka raste që shndërrohet në kompleks dhe i shtyn të jenë të pranishëm me çdo kusht, edhe duke firmosur mundin e tjetrit. Me siguri nuk është rasti për poetin Rudolf Marku, i cili tre javë pas Peter Jones pati të njëjtin lexim për Aristotelin, që botoi te Mapo e më pas e mori inercia mediatike. Duam të besojmë që The Spectator ia ka huazuar mendimin para se të hidhej në ndonjë format të ndryshëm nga ai metafizik, duke qenë se koha është kategori e të menduarit e jo realitet fizik, e gjithashtu se shkrimtari Marku, (ashtu si koha), i vlerësuar me çmimet Naim Frashëri, At Zef Pëllumi, PEN, Penda e Argjendtë, i ka neutralizuar barrierat”, shkruan “Postbllok.com”(http://www.postbllok.com/revista-britanike-vjedh-analizat-e-rudolf-mark…). Linku përkatës të çon realisht në një shkrim të autorit Jones ku bazohet edhe analiza e bërë që mbështet tezën se kemi të bëjmë me një shkrim që është marrë nga “The Spectator”. “Postbllok.com” e përsërit vërejtjen në rrjetin social “Facebook”, duke thënë se Marku e ka vjedhur shkrimin nga “The Spectator”, çka na bën, përveç detyrimit për të sqaruar lexuesin, të sjellim edhe këtë shënim. Këtu edhe linku i shkrimit të Jones në “The Spectator”: http://www.spectator.co.uk/the-week/ancient-and-modern/9595122/what-ari…. Kushdo mund të gjykojë vetë.

Duke pranuar se publikimi i një materiali shoqërohet me përgjegjësinë, që e njohim për aq sa na takon, qoftë edhe sepse nuk kemi dëshmuar në këtë rast aftësinë filtruese të “Postbllok.com”, dëshirojmë të shtojmë, pa sens shfajësimi, se publikimi i një shkrimi, sikurse riprodhimi i tij në një faqe tjetër(siç është rasti) është edhe marrëdhënie besimi. Marku është autor i njohur, që këtej edhe besimi për publikimin e materialeve të firmosura prej tij. Por besimi nuk duhet marrë për verbëri, as për meritimin e med(i)aljes së vulgut, që na e kanë dhënë me tapi kaq herë. Kaq kemi të drejtë dhe mund të themi për publikimin te “ResPublica”, në respekt edhe të lexuesit dhe të kritikës së “Postbllok” për publikimin e shkrimit. Këtu kujtojmë edhe një rast të ndodhur disa vite më parë në media prestigjoze në Perëndim - http://theweek.com/articles/442125/three-major-publications-have-acknow….