Ministri i Shtetit në Ministrinë e Jashtme të Gjermanisë, Michael Roth, ka dhënë një intervistë për “Deutsche Welle” përqendruar kryesisht në raportet me Ballkanin Perëndimor. Roth nënvizon qartë se BE-ja është konkrete në premtimin për integrim të vendeve të Ballkanit e në këtë qëllim shkon edhe Konferenca e Berlinit. Por duhen rezultate. “Sa më me vendosmëri të çohen përpara reformat e nevojshme, aq më shpejt do të avancojnë bisedimet. Perspektiva e antarësimit në BE vazhdon të ekzistojë pa kufizime. Por vlen parimi se: nuk duhet të ketë lëshim politik sa u përket kushteve të antarësimit! Unë e kam të qartë, që shpesh kryesisht forcat e reja proeuropiane mendojnë se ky proces nuk po ecën shpejt sa duhet. Këta të rinj kanë nevojë për shanse dhe perspektiva në vendet e tyre. Ndaj ne kemi vënë në jetë nisma si p.sh. Konference e Ballkanit Perëndimor apo inciativa në Bosnje e Hercegovinë. Me këtë ne tregojmë, se perspektiva e pranimit është më shumë se sa thjeshtë një premtim, por edhe se ne presim rezultate konkrete”, thotë Roth. Konferenca e Berlinit në këtë prizëm do kuptuar si një kuadër përshpejtues i integrimit, sa kohë merret posaçërisht me Ballkanin Perëndimor. Por ky integrim nuk mund të blihet më kaq kollaj me kërkesa për vendime politike e strategjike. Aq më tepër kur në vende si Shqipëria e Kosova problemi është strukturor dhe dështimi spektakolar. Nisur nga kjo që thotë ministri gjerman, merr një përgjigje edhe pretendimi i kryeministrit shqiptar që ka kohë që flet për nevojën e një Europe Strategjike. Në fakt ka një kërkesë edhe më urgjente: një Shqipëri normale. Nuk mund të mos jesh dakord me ambasadorin gjerman kur apelon që “t’imlëmë filozofimet”.