Një plan që projekton zhvillimin e integruar të Rajonit të Tiranë-Durrës është bërë gati nga Ministria e Rregullimit të Territorit. Plani Durana, që është një bashkim i emrave të Tiranës dhe Durrësit synon projekte të përbashkëta të zhvillimit në fushat e planifikimit të territorit, të infrastrukturës së transportit, ujit , energjisë dhe projekte të tjera në menaxhimin e mbetjeve, të përmirësimit të cilësisë së ajrit dhe zhvillimit ekonomik. Sipas “Monitor”, plani tani është në fazën e konsultimit dhe në themel të tij ka krijimin e një sistemi për të përbashkët logjistik. Rajoni “Durana” është porta hyrëse e Korridorit 8, pikëprerja e aksit Veri- Jug dhe porta hyrëse e rrugës së Arbrit dhe si e tillë ajo duhet të menaxhojë flukset kombëtare dhe ndërkombëtare, tokësore, detare dhe ajrore. Në këtë plan parashikohet ndërtimi i klasterit të logjistikës. Krijimi i strategjisë së transportit për lëvizjen e mallrave dhe krijimi i nyjeve të magazinimit dhe përpunimit të mallrave është në fokusin primar të zhvillimit të Rajonit Durana. Aeroporti dhe transporti ajror dhe porti janë planifikuar të lidhen me rrjetet multimodale të logjistikës. Do të vihet në eficensë aksi në veri të rajonit, Vorë-Kashar-Vaqar-Arbanë –Elbasan. Do të ndërlidhet rruga e Arbrit me Korridorin 8. Aksi i Ndroqit do të kalojë në konservim dhe do të evidentohen polet logjistike rajonale. Do të krijohen barriera të forta për moslejimin e zhvillimit rural ose urban në zonën e ndërveprimit ajror në aeroport. Gjithashtu do të planifikohen hapësirat për shtimin dhe zgjerimin e aeroportit të mallrave dhe të pasagjerëve.