Me dy të vërteta zyrtare në xhep, tri rreshta fjalim që e shkruan çdo Demkë ndërmarrjeje, pak lustër prej “djaloshi urban”, siç edhe e cilësonte dikur në kabllograme Withters, dhe Erjon Veliaj, kryetari i Bashkisë së Tiranës, i një qyteti që përfaqëson në miniaturë çdo gjë të kësaj Shqipërie, ia del që të bllokojë podiumin. Kuptohet me servilizmin e disa mediave që i rendin pas. Por si një njeri që i duhet vetëm të aktrojë në një skenë që e ka ngritur Edi Rama, Veliaj sa më shumë përpiqet, aq më shumë stonon. Kjo edhe sepse siç thotë populli “i fut turinjtë edhe aty ku nuk i takon”. Mezi po priste festën e Pezës, këtë ceremoni nostalgjikësh me shall dhe të rinjsh që rendin pas “dionisiakeve – bashkiake”, për të thënë ca fjalë, që sikur të mos i lidhësh me emrin, ia faturon ndonjë novatori të dalluar, të cilit nuk i shkëputet shpirti nga mbledhja e frontit. “Lipset bashkim dhe bashkëpunim i gjitha forcave politike që drejtojnë vendin drejt një qëllimi të përbashkët, zhvillimin dhe forcimin e shtetit shqiptar dhe renditjen e tij krahas vendeve të zhvilluara të familjes së madhe evropiane. Do të jemi të bashkuar ne dhe ju, të dy gjeneratat, për të siguruar dhe zhvilluar të ardhmen për fëmijët e Shqipërisë. Me të njëjtin frymëzim do të punojmë edhe në Bashkinë e re të madhe të Tiranës, që edhe vetë emri i këtij institucioni i ka rrënjët në fjalën bashkim”, tha ai. Në fakt festa e Pezës, është e tillë vetëm për nostalgjikë të Enver Hoxhës dhe ajo si festë as mund të kuptohet pa Enver Hoxhën, njeriu që e kapitalizoi atë ngjarje më shumë nga të gjithë. Përpjekja për të celebruar aktin, e mandej për të kënduar këngë partizane është një sharlatanizëm acarues, sa kohë që Konferenca e Pezës nuk mund të identifikohet me simbolet e një force të vetme, ndërkohë që shitet si akt bashkimi. Por festa pikërisht këtë qëllim ka, se këto qëllime ka kryetari i Bashkisë që sheh nga partia. Fotot në fjalë e dëshmojnë më së miri: askush nuk shkon në një festë ku ka shalle të tillë, veçse në mos i përket asaj klase dhe asaj fryme. Apo atij soji. E keqja është se ky kryetar Bashkie, që edhe hijen politike e ka false, operon me paratë publike, përfshi gjobat e shurrës që ka mbledhur së fundmi. Këtu qëndron edhe problemi. Se po të jetë për festë partie, apo private, gjithësekush ka të drejtën e vet.