Një nga arritjet e sivjetshme të qeverisë është rritja e cilësisë së rrushit dhe perimeve. Nuk e thonë studime apo statistika, por sondazhe që Ministria e Bujqësisë thotë se ka kryer tek konsumatorët e huaj. Ndonëse nuk jep detaje si është zhvilluar ky sondazh, ministri Bujqësisë, Edmond Panariti shpjegon se si rrjedhojë e një kontrolli më rigoroz mbi cilësinë e farave dhe të fidanëve, por edhe të inputeve bujqësore të përdorura në procesin e prodhimit, këtë vit është rritur ndjeshëm cilësia e perimeve dhe frutave si në paraqitje ashtu dhe në shije.

“Prodhimi i rrushit dhe cilësia e tij, këtë vit ka qenë i jashtëzakonshëm, dhe në nivele shumë të kënaqshme paraqitet edhe prodhimi i ullirit dhe agrumet. Në sondazhet e kryera, konsumatorët vendas dhe sidomos ata të huaj konfirmojnë cilësinë dhe shijen unikale të perimeve dhe frutave tona, dhe asnjë reklamim nuk ka pasur nga vendet importuese lidhur me elementët e cilësisë dhe të sigurisë të prodhimeve tona bujqësore”-deklaroi Panariti në një intervistë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare.

Ministri i Bujqësisë dha edhe konsideratën e tij për cmimet duke thënë se “Si rrjedhojë e ofertës së bollshme dhe të shtuar të prodhimeve bujqësore në tregjet tona, konsumatorit i janë ofruar çmime rreth dy herë më të lira se një vit më parë për të njëjtën sasi produkti në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më pare”