Kryeministri Edi Rama e ‘amnistoi’ ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, nga akuzat dhe insinutat e shumta që po vinin nga shumë drejtime, kur në konferencën e para disa ditëve me policinë, foli për sukses në luftën kundër trafikut të drogës. Po ato ditë, Tahiri do të ndërhynte në emsionin “Opinion” për të deklaruar se makina e përmendur në intervistën e ish-shefit të Antifrafikut në Fier, Dritan Zagani, nuk ishte më e tij, pasi e kishte shitur. Sot, Partia Demokratike, përmes kreut të Departamentit për Sigurinë e Rendin Publik, Enkeleid Alibeaj, ka dhënë një version tjetër, që e hedh poshtë atë të ministrit. “Më 30 gusht të vitit 2014, një vit pasi ai deklaron se e paska shitur makinën, Saimir Tahiri shfaqet në timon në pikën kufitare të Kapshticës pikërisht me audin AA003GB. Ja ku është dokumenti i sistemit TIMS, e keni edhe në ekran. Më herët, më 16 gusht po të vitit 2014, Saimir Tahiri dhe e famshmja AA003GB, shfaqen në pikën kufitare të Qafë Botës. Dhe më 29 gusht të vitit 2014, sërish në Kapshticë, Saimir Tahiri me audin e tij AA003GB. Ja pra këto janë faktet. Saimir Tahiri nuk e ka shitur makinën”, tha Alibeaj, që e shoqëroi deklaratën me dokumente. Më tej, për ish-ministrin e Drejtësisë, kjo çështje ka edhe një hollësi tjetër që nuk është pa pasoja. “Edhe varianti i tij për t’i ikur krimit të drogës, me shitjen e makinës por mosdeklarimin e saj, për shkak të vendimi gjyqësor ndaj tij, është një shkelje e rëndë. Tjetërsimi i këtij sendi me vullnet (pra shitja e makinës) nga debitori, edhe pse është në dijeni të faktit se ajo është bllokuar për efekt të përmbushjes së detyrimit gjyqësor, përben vepër penale të parashikuar në nenin 320 të Kodit Penal. Konkretisht, dispozita penale parashikon si më poshtë: Neni 320:  “Pengime për ekzekutimin e vendimeve të gjykatës; “Fshehja, tjetërsimi, konsumimi, dëmtimi apo shkatërrimi i sendeve për të cilat është marrë një vendim prej gjykatës, ose kryerja e veprimeve të tjera të bëra me qëllim që të mos ekzekutohet ose të pengohet ekzekutimi i vendimit gjyqësor, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në dy vjet”, tha më tej Alibeaj. Saimir Tahiri mbetet kështu në detyrë në kontesktin e një seriali akuzash të mëdha e të rënda, të cilat siç po duket financohen dhe i interesojnë shumëkujt edhe brenda mazhorancës. Në raport me interesin publik, është i domosdoshëm një sqarim shterues, pa alibi e gjysmë të vërteta.