Qeveria nis shlyerjen e detyrimeve ndaj çekëve të  CEZ në përmbushje të detyrimeve që rrjedhin nga marrëeshja e mirëkuptimit të nënshkruar në qershor të 2014-ës. Gazeta Rilindja Demokratike ka zbardhur përmbajtjen e marrëveshjes ku parashikohet mënyra e shlyerjes së detyrimeve dhe penalitetet në rast vonesash.

 Në javën e parë të gushtit, pikërisht më datë 7, qeveria është detyruar të paguajë këstin e parë  prej 21 milionë e 750 mijë euro. Mënyra se si është hartuar marrëveshja, detyron qeverinë shqiptare që në çdo rrethanë të bëjë pagesat, pasi edhe ndëshkimet janë të forta dhe detyrimet rriten me çdo ditë vonesë.

Marrëveshja e nënshkruar nga kryeministri Rama detyron qeverinë shqiptare të paguajë për llogari të kompanisë çeke 85 milionë euro. Sipas kësaj marrëveshjeje, pagesat do të shtrihen në një periudhë 4-vjeçare dhe likuidimi total i shumës do të bëhet para 7 gushtit të vitit 2018. Këstet e pagesave janë ndarë në shuma që vërtiten në rreth 21 milionë euro në vit dhe qeveria është e detyruar të paguajë çdo herë para datës 7 gusht.

Në bazë të marrëveshjes, qeveria shqiptare ka marrë përsipër të paguajë të gjitha borxhet dhe detyrimet që kompania CEZ ka me bankat në Shqipëri dhe ato ndërkombëtare, që sipas zërave të detajuar në aneksin 1 të marrëveshjes shumica e tyre janë marrë për të paguar rrogat e punonjësve të CEZ në Shqipëri apo për ato pak investime që ata kryen në sistemin e shpërndarjes së energjisë.

RD shkruan se  CEZ ka abuzuar deri në qindarkën e fundit me kompaninë, duke transferuar jashtë vendit gjithçka që arkëtonin nga shitja e energjisë për konsumatorët shqiptarë. Opozita e akuzon qeverinë se po ashtu ka falur 600 milionë eurot që CEZ u kishte si debi operatorëve KESH dhe OST.

 

http://www.rilindjademokratike.com/index.php?option=com_content&view=ar…