Ditën e sotme Këshilli Kombëtar i Punës ka miratuar në parim draft-ligjin e përgatitur nga Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë “Për punëkërkuesit e papunë”. Thuhet se drafti synon të frenojë dembelizmin dhe të stimulojë të papunët që të pranojnë të punojnë në vendet e punës që ofron biznesi apo edhe institucionet shtetërore.

Nxitja për këtë nismë ishte paradoksi aktual ku nga njëra anë ekzistojnë 150 mijë kërkesa për punë në zyrat e punës, dhe nga ana tjetër ka 26 800 vende pune që kërkojnë punëtorë.

 “Ne nuk mund të pranojmë që një sistem i tërë të sponsorizojë dembellëkun e qytetarëve shqiptarë, pra të shkojnë të kërkojnë punë dhe të mos pranojnë të punësohen në vendet e punës që biznesi ofron. Projektligji është shprehur qartë për plotësimin e dy kushteve themelore që kanë të bëjnë me kushtet që monitorin Inspektorati i Punës, pra kushtet e punës, pagesa të jetë brenda kuadrit ligjor, por edhe kushtin e dytë, që punëmarrësit të kenë një mundësi për aftësim profesional.

Pra kombinimi i të tre faktorëve, mundësisë për punë, kushteve të punës dhe kualifikimi i punonjësve do të jenë baza e këtij projektligji”, – tha Klosi. Rrjedhimisht, atij që i jepet një punë sipas kritereve me të cilat është regjistruar dhe nuk e pranon, do t’i hiqet statusi i të papunit dhe përfitimet që vijnë me të.

Nuk është bërë e qartë se ç’lloj vendesh pune janë këto ekzistueset, dhe ku. Por duket se përfundimisht është gjetur armiku dhe fajtori për krizën aktuale të papunësisë; janë pikërisht shqiptarët dembelë. Dhe në pamundësi për të ndërruar popullin, qeveria e merakosur ka vendosur ta gdhendë këtë pis milet. Po si? Duke reduktuar edhe atë pjesë “welfare” që ofron deri tani.