Flitet për 8.8 milionë euro tender mirëmbajtjeje dhe askush nuk merr përsipër të sqaroj përfundimisht sesi qëndron e vërteta. Para disa ditësh “shqiptarja.com” që posedohet nga biznesmeni italian Carlo Bollino, publikoi një material sipas të cilit pretendohej se Radio Televizioni Shqiptar kishte kontraktuar një firmë për mirëmbajtjen e rrjetit dixhital të tij në një vlerë prej 8.8 milionë euro. Problemi shtrohet se ky rrjet ende nuk është ndërtuar dhe madje as ka filluar, ndaj ngjan disi e pakuptueshme sesi mund të jepen tendera të tillë për diçka që nuk ekziston. Sot e njëjta gazeta e vazhdon temën kur sjell në vëmendje se vetë RTSH-ja ka reaguar përmes disa kronikave televizive ku pretendon se mirëmbajtja është “pjesë integrale e kontratës së nënshkruar nga Ministria e Inovacionit me “Rohde & Schëarz”, pasi kjo e fundit fitoi tenderin 21,5 milion euro për rrjetin e transmetimit dixhital”. Pra ajo përfshihet te 21.5 milionë euro që i janë dhënë kompanisë gjermane. Mirëpo Ministria e Inovacionit nxjerr një tjetër version, duke u distancuar zyrtarisht nga ky qëndrim. “Marrëveshja e mirëmbajtjes për rrjetet numerike të RTSH është një dokument i ndarë nga kontrata për ndërtimin e këtyre rrjeteve. Lidhja ose jo e një marrëveshjeje për mirëmbajtjen është vendimmarrje e RTSH si institucion i pavarur, në funksion të nevojave dhe kapaciteteve dhe nuk përfshihet në fushën e përgjegjësisë të Ministrit të Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike”, theksonte Ministria e Inovacionit në deklaratën për shtyp”, raporton “shqiptarja.com”. Madje RTSH-ja ka në dispozicion një personel prej 250 vetësh për këtë proces, por jo, zgjedh ofrimin e shërbimit në treg. 8.8 milionë euro nuk janë keq. 

http://shqiptarja.com/media/2710/kontrata-8-8-milion--euro-e--rtsh-dist…