Thomas Piketty gjurmon një shprehje të re të pasojave që mund të sjellë pabarazia në të ardhura. Një shkrim i tij në francezen “Le Monde” është rimarrë në vështrim nga “Washington Post”, që cilëson se argumentet e ekonomistit francez janë kontroversale. Sipas tij, pabarazia në Lindjen e Mesme është faktori kryesor pas terrorizmit, përfshirë këtu sulmet e ISIS në Paris. Duke u hulumtuar si shkak fillestar, në rrënjë të zinxhirit që pason, ekonomia dhe pabarazia e transferon përgjegjësinë për këtë që po ndodh sërish në Perëndim, aty ku siç nënvizon Piketty, jetohet dhe predikohet shteti i së drejtës dhe demokracia, të cilat në Lindjen e Mesme vijnë e konvertohen në kërkesë për naftë dhe pasurim elitash. Madje ky raport tregtar mes Perëndimit dhe Lindjes së Mesme, përqendruar tek nafta ka prodhuar një pabarazi të madhe mes elitave të Gjirit Persik dhe popullsive të atyshme; sistemi politik dhe ekonomik i vendeve në Lindjen e Mesme është i brishtë pikërisht si pasojë e përqendrimit të pasurisë në pak vende me popullsi relativisht të vogël. Argumenti ka edhe disa shifra në mbështetje: disa monarki të vogla kontrollojnë 60-70% të naftës mes të cilave Katari, Emiratet e Bashkuara Arabe, Kuvajti, Arabia Saudite, Bahreini dhe Omani përbëjnë vetëm 16% të popullsisë së rajonit. Kjo shpërndarje e të ardhurave e bën Lindjen e Mesme “rajonin më të pabarabartë në botë”, shkruan ky ekonomist që propozon si përgjigje masa ekonomike. Piketty duket se ndan një vizion antiimperialist të botës, ku varfërisë i shtohen edhe pasojat e luftarve nga Perëndimi, që të marra së bashku e sjellin panoramën në ndjesitë e fillimit të shekullit të 20-të kur nis lëvizja antikolonialiste. Mirëpo ky argumentim përjashton këtu faktet që pas lëvizjeve si ISIS qëndrojnë pikërisht disa monarki të Gjirit Persik, apo ndajnë me të disa interesa, pa folur këtu për implikimin direkt të Arabisë Saudite dhe Katarit në ndryshimin e pushtetit në Egjipt, kur u rrëzua Morsi i Vëllazërisë Myslimane. 

https://www.washingtonpost.com/news/wonk/wp/2015/11/30/why-inequality-i…