Ndryshe t’i shohësh gjërat nga lart dhe ndryshe nga poshtë. Nëse Shqipëria nga sivjet ka dalë jek e jek me borxhin, kjo vlen vetëm sa për statistikë. Pavarësisht vlerës që kanë për qitapet e shtetit, statistikat as nuk hahen e as nuk pihen.

Edhe vetë kryeministri e ka pranuar se kjo nuk ka impakt të drejtpërdrejtë e të menjëhershëm në buxhetin e çdo familje, por është një garanci që sipas tij ashtu si edhe në sektorët e tjerë hemorragjia tanimë është ndalur dhe operacioni i reformave ka filluar të japë rezultate.

Tabakaja me të cilën kryeministri ka nisur turin sqarues në Shqipëri është një përpjekje për t’u treguar shqiptarëve “bëmat” që ata nuk po i shohin apo po nuk i kuptojnë nga perspektiva e të bërit shtet. Që kjo qeveri ka prodhuar “bëma” nuk ka pikë dyshimi, duke nisur që nga konkurset e deri te koncesionet, por ajo i njeh vetes suksese që kryeministri nuk gjen fjalë tjetër t'i përshkruajë veçse si të jashtëzakonshme

“Sigurisht, disa rezultate janë të jashtëzakonshme për njerëzit. Fjala vjen, është e jashtëzakonshme për ata që merren me biznes të vogël që nuk do të paguajnë më taksa. Më shumë se kaq për një familje, apo një person të vetëpunësuar, apo të punësuar në biznes të vogël nuk ka. Të mos paguajë asnjë taksë!”-deklaroi Rama në Elbasan.

Më e jashtëzakonshme se kjo që thotë zoti Rama është mënyra sesi kryeministri e mori këtë vendim brenda natës, duke shtangur edhe vetë Shkëlqim Canin që e mori vesh lajmin pasi Edi Rama kishte dalë në konferencë shtypi.

“Apo është e jashtëzakonshme për një të moshuar, që me ligjin e vjetër të pensioneve e kishte praktikisht të pamundur të merrte një pension, që sot të marrë pensionin social. Pavarësisht se pensioni social nuk është një pension i lartë, është modest, sidoqoftë është një mundësi”-shtoi kryeministri.

Sa e jashtëzakonshme është kjo më mirë ta thonë vetë pensionistët.