Në Konferencën Kombëtare të Gjyqësorit, ambasadori amerikan Donald Lu është drejtuar gjyqtarëve  me paralajmërimin se ata që janë të korruptuar i pret burgu. “Nëse uli dorën dhe shihni kyçin e dorës dhe nëse mbani në dorë një orë më të shtrenjtë se makina ime, atëherë jeni gjyqtarë të korruptuar. Nëse jeni i tillë, duhet ta lini këtë profesion menjëherë, pasi mund të futeni në burg.”-deklaroi Lu.

Ambasadori Amerikan lëshoi edhe një mesazh optimizmi për gjyqësorin dhe ndryshimet e pritshme në sistemin e drejtësisë. “Ma merr mendja se shumë prej jush nuk do ta identifikonin veten si gjyqtarë të korruptuar. Më lejoni t’jua them këtë në shqip, për të qenë i qartë. Prova ime për korrupsionin është e thjeshtë: nëse keni marrë ndonjëherë para ose favore në shkëmbim të një vendimi gjykate, jeni një gjyqtar i korruptuar… Së dyti, për gjyqtarët e ndershëm: kini besim, ndryshimi po vjen. E di që është e vështirë të jesh një gjyqtar i ndershëm. Nuk punon për shumë para dhe ka trysni nga çdo drejtim për të marrë vendime të rëndësishme për të gjitha arsyet e gabuara. Gjyqtarët e ndershëm, si ju, meritojnë të punojnë në një sistem që shpërblen integritetin. Ju meritoni të promovoheni në bazë të meritës dhe të përvojës.”-theksoi Lu.