Kastriot Dervishi, ish-drejtor i Arkivit të Ministrisë së Brendshme, duke iu referuar dokumenteve autentike, zbardh në faqen e tij në FB historinë e dënimit të Hysen Shoshorit, rrethanat si u prangos, duke hedhur trakte antikomuniste në Tiranë, emrat e dëshmitarëve që e kryqëzuan, vendin e dënimit të të ndjerit e deri te zyrtarët që rënduan pozitën e tij. Dervishi thotë se emri i Sali Berishës nuk ka lidhje me këtë proces. Spas ish-drejtorit të Arkivës për Hysen Shoshorin në Arkivin e Ministrisë së Punëve të Brendshme është dosja hetimore – gjyqësore nr.10.666. Përveç origjinalit të dosjes është edhe mikrofilmi (i pamanipulueshëm dhe i pandryshueshëm) i bërë në vitet ’70. Një dosje tjetër operative në ngarkim të H.Shoshorit është përgatitur një person që rezulton sot babai i një zyrtareje të lartë të Ekzekutivit.

Historia e Shoshorit

Hysen Shoshori nuk ka qenë i denoncuar, por i arrestuar në kushtet e flagrancës. Asnjëherë ndaj tij nuk u vu dyshimi më i vogël se shpërndante trakte. Kjo sepse ai vepronte pothuajse vetëm dhe traktet i ndante personalisht pa ua dhënë të tjerëve. Ai hodhi trakte me përmbajtje antikomunistë nga 4 qershori 1967 deri ditën që u arrestua, më 29 gusht 1974. Veprimtaria e Shoshorit zgjati 7 vjet. Traktet nisën pikërisht ditën e zgjedhjeve për këshillat popullorë. Ai punonte saraç në uzinën e artilerisë. Revolta e tij nis fill pasi pushteti komunist i shtetëzoi një kopsht të vogël, me të cilin ai ushqehej. Ajo ishte protesta e heshtur e një njeriu që denonconte diktaturën komuniste, jetën e keqe dhe vuajtjen e popullit shqiptar.

Polici Dushan H. për këtë ngjarje dëshmon: “Më datën 29 gusht, duke qenë me shërbim me anëtarin e Grupit të Bashkëpunimit Vullnetar, të quajturin Mustafa P., në vendin e quajtur rrugica e ambulancës qendrore…, aty rreth orës 21:15 pashë një person civil, të cilin nuk e njihja. Ai person nuk na shikonte ne, ndërsa ne i shikonim veprimet e tij. Ai duke ecur në rrugicë kthente kokën sa andejkëndej dhe kur u afrua afër nesh që ishte një kthesë, unë pashë se një dorë e mbante në xhepin e pantallonave. Si mori kthesën duke ecur, pashë që nxori dorën nga xhepi, e vuri te goja dhe e lagu me pështymë dhe me të shpejtë e futi përsëri në xhep. Mua këto veprime të tij më lanë të dyshoja dhe e shikova me vëmendje të madhe. Ai porsa futi dorën në xhep, nxori prej andej një letër të bardhë dhe e hodhi në tokë duke vazhduar ecjen normale. Unë menjëherë shkova dhe pashë se çfarë ishte kjo letër që ishte e shkruar me dorë e me përmbajtje armiqësore. Letrën e futa në xhep, i jap sinjalin anëtarit të AGBV-së, Mustafa P., dhe menjëherë vihem në ndjekje të personit që hodhi letrën. Mustafait i them të më sillte biçikletën… I hipa biçikletës dhe e pashë rreth 100 metra në anë të djathtë të rrugës ‘QemalStafa’. Me qëllim që ta kapja e mos krijoja konfuzion, i afrohem duke i takuar rrotën e biçikletës. Lë biçikletën dhe e kap atë duke përdorur sambon, duke i thënë pse më pengove rrugën. Këtë ia thashë me qëllim që të mos dyshonte derisa unë ta mposhtja. Në këtë kohë erdhi edhe Mustafa P., e kapi dhe ai. Me makinë e shoqëruam në Drejtorinë e Punëve të Brendshme. E kontrolluam e në xhepin e pantallonave i gjetëm disa letra të shkruara me germa të mëdha me përmbajtje armiqësore”.