Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla ka shprehur pakënaqësi lidhur me procesin e ndjekur për hartimin e draftit të reformës në drejtësi.  Në një takim konsultativ me krerët e prokurorive të rretheve ku I pranishëm ishte dhe ministri i Drejtësisë, kryeprokurori tha se drafti për reformën në drejtësi është i nxituar dhe ka mungesë konsultimi.

“Sistemi  i drejtësisë në vend ka nevojë për reformime. Por dalja në konkluzione kaq të shpejta pa u diskutuar me të gjithë faktorët ka qenë një veprim i nxituar”-është shprehur Llalla. Paradoksalisht kjo deklaratë e Llallës bie ndesh me qëndrimet publike të faktorit ndërkombëtar për miratimin një orë e më parë të reformës në drejtësi.

Si ambasadorja e Bashkimit Evropian Romana Vllahutin ashtu dhe ambasadori amerikan Donald Lu kanë apeluar vazhdimisht për pastrimin sa më shpejt të sistemit të drejtësisë nga të korruptuarit.Dhe asistenca e faktorit ndërkombëtar në këtë drejtim ka qenë e pakursyer ashtu si dhe presioni i tyre për të çuar përpara këtë proces.

Kjo tregon se rezervat e Llallës për reformën në drejtësi janë shprehje e  pakënaqësive që burojnë nga mjedisi shqiptar dhe që transmetohen publikisht përmes prokurorit të emëruar në atë detyrë nga politika.Politikisht Adriatik Llalla është komentuar si njeri i Ilir Metës dhe deklarata të tilla s’mund të quhen të nxituara kur bëhen në prani të Ministrit të Drejtësisë, i cili edhe vetë ka shprehur rezerva për reformën në drejtësi.

Lalla jep si argument aftësinë e sistemit për t’u vetëpastruar duke sjellë si shembull arrestimin e prokurorit të Fierit dhe atij të Krujës. “Arrestimi i kolegëve dhe gjyqtarëve tregojnë që kemi vullnet. Mes nesh ka të korruptuar, por jemi të aftë të pastrojmë radhët tona”-është shprehur Llalla gjatë takimit ku ishte i pranishëm edhe ministri i Drejtësisë. Në fakt Llalla ka lajmëruar shumë herë arrestime të bujshme dhe publiku është ende në pritje që ai të demostrojë forcën e ligjit.

Kreu i Prokurorisë është i vetëdijshëm se nuk ka asnjë peshë apo rol në proceset që kanë të bëjnë me reformën në drejtësi për aq kohë sa ai ka vepruar në ndikimin e politikës. Ndaj dhe zëri i tij duket si daulle që vjen nga tjetërkund për një reformë që duhet t’i përshtatet LSI-së dhe Ilir Metës. 

l.m