Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian e kanë marrë vetë në dorë çështjen e reformës në drejtësi. Mungesa e besimit te palët politike dhe gjendja ku ndodhet sistemi i drejtësisë edhe pas ndryshimit të pushtetit ka bërë që ndërkombëtarët ta udhëheqin vetë këtë proces, madje duke sugjeruar edhe ndryshimet e nevojshme kushtetuese. Ambasadori Donald Lu tha sërish se reforma në drejtësi do të largojë nga gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar që kanë mbushur xhepat me paratë e pista.
“Propozimi aktual për reformën në drejtësi po u jep njerëzve shpresën se ndryshimi po vjen. Ekspertët tanë nga SHBA dhe BE u përfshinë aktivisht në çështjen e ndryshimeve kushtetuese. Ndryshe nga propozimet e mëparshme nevojitet një mekanizëm për të larguar gjyqtarët e korruptuar dhe të paaftë. Ky sistem i ri do të largojë nga sistemi gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar. Korrupsioni mbush xhepat me para të pista”, u shpreh ambasadori Lu.
Deklaratat e fundit të ambasadorit amerikan Donald Lu dhe këmbëngulja e tij për reformën në drejtësi, kanë bërë që Huffington Post t’i kushtojë një shkrim Shqipërisë, për mënyrën se sip o ndryshon qasja e Amerikës ndaj politikanëve shqiptarë.
Gazetari Fron Nahzi shkruan se SHBA tashmë ka ndryshuar politikën e saj, duke mos mbështetur më udhëheqësit, por ligjet e forta.
“E frustruar nga lidershipi shqiptar në luftën kundër korrupsionit, SHBA po ndryshon politikën e saj nga mbështetja e udhëheqësve të fortë tek ligje të forta, një lëvizje e mirëpritur nga shqiptarët dhe ndërkombëtarët prej shumë kohësh”, shkruan ai.
Sipas tij, amerikanët dhe europianët kanë bërë thirrje vazhdimisht për qeveritë që të luftojnë korrupsionin dhe nepotizimin. “Gjatë 25 viteve të shkuara, pushteti është spostuar mes dy partive të mëdha në vend, Socialistëve dhe Demokratëve, kurse parlamenti është bërë një shpellë hajdutësh. Çdo qeveri e ka injoruar këtë thirrje.
Shumë zyrtarë të zgjedhur e nisin punën me apartamente modeste dhe dalin prej andej me vila luksoze dhe ora Cartier e Gucci. Një lider i korruptuar është një kundërshtar fantastik; një lider i korruptuar, por i mbështetur nga fuqitë perëndimore, është një Goliath”, shkruan ai.