Kartolina për festat e fundvitit në adresë të Kryeministrit Edi Rama është një vizatim i bërë nga vetë ai në vitin 1983, në organin politiko-letrar të Ministrisë së Brendshme, “Në shërbim të popullit”. Në një prej numrave, pikërisht ai i datës 10 tetor 1983, është një vizatim i një vajze që personifikon vigjilencën e partisë, ndërsa tjetri armikun e partisë. Ky është komenti i presidentit të unionit të të përndjekurve, Besim Ndregjoni, gjatë një takimi në Shkodër. “Vizatim nga profesori i arteve socialiste, Edi Rama. Kjo është kartolina që i dërgojmë Kryeministrit me rastin e festave të fundvitit. Kjo tregon se çfarë mendësie ka Kryeministri i shqiptarëve që është sot. Asgjë nuk e ka rastësore dhe e dinë mirë të gjithë shqiptarët se ai nuk mund të ndahet nga e shkuara e tij komuniste. Dekriminalizim pa dekomunistizim nuk ka. Nën bunkerin që shembën të përndjekurin fshihen katër dhoma nëntokësore, që lidhen me Shtëpinë e Gjetheve dhe Ministrinë e Brendshme dhe mbi ato katër dhoma kërkon të vendosë fotografitë e Enver Hoxhës”, tha Ndregjoni. Sipas tij, Edi Rama, në emër të partisë që përfaqëson që është Partia e Punës së Shqipërisë, duhet t’u kërkojë falje të gjithë të përndjekurve politikë për krimet e komunizmit, jo të rikthejë simbolet e komunizmit.