Në diplomacinë shqiptare, shefi i kabinetit të ministrit të Punëve të Jashtme, Pirro Vengu nuk është i vetmi nëpunës me dy shtetësi.
Në një përgjigje zyrtare drejtuar “Gazeta Shqiptare”, MPJ sqaron se në total janë 9 nëpunës që veç pasaportës shqiptare kanë edhe një tjetër të huaj. Ndërkohë që nuk preferon të bëjë publike emrat dhe funksionet që ata mbajnë në Shërbimin e Jashtëm, MPJ thotë se ky fakt nuk përbën skandal pasi sipas saj “Konventa e Vjenës për marrëdhëniet diplomatike nuk e ndalon mbajtjen e dyshtetësisë për diplomatët.
Nga ana tjetër, Ligji ynë nr.23/2015 ‘Për Shërbimin e Jashtëm në Republikën e Shqipërisë’ nuk e ndalon një gjë e tillë. "Verfikimi i pastërtisë dhe sigurisë të çdo individi i cili angazhohet në shërbimin e jashtëm është objekt i punës së organeve të specializuara në fushën e sigurisë. Ju bëjmë me dije se në shërbimin e jashtëm vetëm 9 nëpunës kanë dyshtetësi. Për sa i përket emrat e nëpunësve me dyshtetësi, informojmë se kjo çështje është objekt i ligjit ‘Për mbrojtjen e të Dhënave Personale’ dhe në këto kushte emrat e nëpunësve, mbajtës së dyshtetësive nuk mund të bëhen të ditura”, – sqaron ministria e Punëve të Jashtme në reagimin e saj zyrtar për “Gazeta Shqiptare”.
Rasti Vëngu u kthye në një çështje të debatuar mes qeverisë dhe opozitës për shkak se shefi i Kabinetit të ministrit të Jashtëm u thirr për të kryer shërbimin ushtarak nga shteti grek. Por si ministri Bushati, si kryeministri e injoruan këtë fakt duke thënë se çdo gjë është konform me ligjin. Përveç këtij fakti polemika ngjalli edhe lidhja familjare e Vëngut me ish-funksionarë të Lartë të regjimit komunist.