Ajo që po ndodh së fundmi në Krodoba me konfliktin për emërtesën e një monumenti që është edhe xhami edhe katedrale katolike, përsëritet në mënyrë më të tensionuar edhe në Shqipëri. “Shqiptarja.com” raporton se monumenti kishë-xhami që ndodhet në Kalanë e Rozafës, mund të çojë në përplasje fetare në Shkodër, pasi të dyja komunitetet pretendojnë pronësinë dhe të drejtat mbi të. “Katedralja e Shën Shtjefnit në Shkodër organizoi meshën e shenjtë në atë monument që pretendon se është një kishë për të nderuar pikërisht pajtorin që mban të njëjtin emër, Shën Shtjefnin. Shën Shtjefni është i nderuar si nga kisha katolike, ashtu edhe ajo ortodokse, si martiri i parë i krishterimit, i pari që dha jetën për të dëshmuar fenë në Krishtin dhe për përhapjen e Ungjillit, raporton "Shqiptarja". Edhe këtë vit kisha katolike pasi ka marrë lejen përkatëse në Ministrinë e Kulturës, objekt së cilës i përket ka kremtuar meshën e shenjtë që u kremtua nga padër Gazmend Tinaj i njohur për qëndrime të forta të tij thuajse në të gjitha daljet publike apo kremtimet e meshave. Ceremonia solemne në kalanë “Rozafa” nga kisha katolike ka ngjallur reagimin e menjëhershëm të myftnisë së Shkodrës përmes faqes zyrtare të saj në Facebook. Padër Gazmend Tinaj përpara besimtarëve të krishterë shënjestroi teksa tha se kisha së cilës i kanë mbetur vetëm rrënojat, është një simbol për të krishterët e madje aty afër sipas një harte të para 537 viteve kanë qenë edhe dy kisha të tjera”, shkruan gazeta duke iu referuar ngjarjes. Mirëpo këto pretendime nuk pajtohen me ato të Myftinisë, e cila e quan monumentin si Xhamia e Mehmet Fatihut. “Xhamisë së Mehmet Fatihut në kalanë e Shkodrës, nuk ia ndryshon dot identitetin leja e dhënë nga Ministria e Kulturës për ceremoninë e sotme fetare! Ne kemi qenë, jemi dhe do të vazhdojmë të promovojmë kulturën e harmonisë ndërfetare, respektimin e lirisë së besimit dhe praktikimin e tij, pa cenuar caqe e kufij, ndjesi e shenjtëri, përtej këtij realiteti, ku dikush shfrytëzon shumëçka në dëm të një domosdoshmërie sociale! Ata që lejojnë këto veprime, janë të papërgjegjshëm, cinikë dhe nxitës të përçarjes, dëmet e së cilës, vetëm Një Zot e di se ku mund të çojnë! Njëkohësisht, distancohemi nga kushdo që kalon cakun dhe nxit prishjen e ekuilibrave, në emër të Zotit dhe të fesë”, thuhet në deklaratën e myftinisë në Facebook.
https://shqiptarja.com/Aktualitet/2731/shkod-r-debati-p-r-objektin-kish…