Avokati i Popullit ka deklaruar në një intervistë për “Ora-News” se rekomandimet e lëshuara nga zyra e tij, do të ndiqen deri në fund. Për ato institucione që nuk i përgjigjen rekomandimeve do të vihet në lëvizje prokuroria. “Ne kemi ngritur një grup të vogël ekspertësh, të cilët po shikojnë mundësinë nëse kemi të drejtë apo jo të bëjmë kallëzim penal apo të rekomandojmë ndjekje penale për ata funksionarë shtetërore, pavarësisht nga rangu i tyre, që nuk i përgjigjen Avokatit të Popullit. Në ato momente që dikush nuk do të na përgjigjet një herë, dy herë sipas ligjit, herën e tretë do ta gjejë veten në Prokurori”, tha Totozani. Kjo mbetet për t’u parë sesa do të funksionojë, pasi një nga institucionet më të “rekomanduara” ka qenë Bashkia e Tiranës për rastin e zhvendosjes së komunitetit rom. “Kemi nisur këtë rekomandim dhe kanë kaluar plot dy javë e diçka që ende nuk kemi asnjë përgjigje nga asnjë kryetar bashkie i Republikës së Shqipërisë, asnjë përgjigje nga 61 kryetarë bashkie pikërisht për këtë masë që themi, për vendstrehimet e përkohshme”, vijoi Avokati i Popullit. Kallëzimi penal për funksionarë që nuk i përgjigjen rekomandimeve për çështje të ndryshme, do të detyronte institucionet që të vihen në lëvizje, apo do t’i nxiste ata.