“Top-Channel” ka zyrtartizuar sot ndryshimet që përfliteshin prej kohësh.  Përmes një njoftimi të publikuar në faqen online, TCh njofton se në pozicionin e Drejtorit të Përgjithshëm që nga sot do të jetë Presidentja e kompanisë “Top-Media”, Vjollca Hoxha.  “Ky vendim ka ardhur pas largimit të drejtorit të mëparshëm, Enkelejdi Joti, i cili qëndroi në këtë pozicion për më shumë se një dekadë.  Top Channel dhe Top Media falenderojnë zotin Joti për kontributin e tij gjatë kësaj periudhe në pozicionin e drejtorit të përgjithshëm të kompanisë.  Top Channel ndërkohë hap një faqe të re dhe të shumëpritur nga shikuesit e tij të shumtë, si televizioni më i ndjekur i shqiptarëve, tashmë nën drejtimin e drejtpërdrejtë të presidentes së Top Medias, zonjës Vjollca Hoxha”, thuhet në njoftim. Po kështu disa media kanë njoftuar se është larguar edhe drejtori i Programcionit Adrian Proko.

Lëvizjet e fundit i japin fund një periudhe drejtimi  të këtij televizioni që zë fill që me themelimin nga Dritan Hoxha. Në këtë pikëpamje ndryshimi do parë me pozitivizëm, pasi ndihej që TCh kishte hyrë në një moment monotonie dhe pa kapacitetet krijuese që pati në vitet e para të transmetimit. Bie në sy se deri më tani lëvizjet kanë prekur nivelin e lartë të drejtimit dhe jo stafin e gazetarëve që hyjnë kështu në modelin e njohur të medias shqiptare, ku pronari është edhe drejtues. Eksperimentimi i TCh me delegim kompetencash dhe shpërndarje të përgjegjësive erdhi në finale dhe këtu meritojnë vëmendje disa elementë: së pari drejtuesit e televizionit u prezantuan në botën mediatike shqiptare vetëm me themelimin e këtij televizioni dhe ndoshta me ndonjë përjashtim nuk kishin përvojë të mëparëshme.

Së dyti , kjo ndarje pune, nuk e imunizoi televizion nga perceptimi për rreshtim politik, sidomos gjatë kohës që Partia Socialiste, e posaçërisht Edi Rama, ishte në opozitë. Për rrjedhojë modeli i përzgjedhur nuk solli asnjë ndryshim nga modeli tjetër, i përgjithshëm, ku politikat editoriale, e madje edhe kronika të caktuara, orientohen direkt nga pronari.  

Ndryshimi sjell një efekt edhe në median në përgjithësi, pasi drejtues kaq afatgjatë kanë shansin dhe privilegjin që të provojnë sfidat e tregut, njësoj si gazetarë të dikurshëm të TCH që janë larguar nga ky televizion.