Nënkryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka deklaruar se në kogresin e 19 marsit, Ben Blushi nuk do të mundet të kandidojë. “Ky është një debat i sajuar, i inicuar nga njeriu i gabuar në momentin e gabuar. Ndoshta do të kishte vlerë nëse do të bëhej në kushtet kur PS do kishte humbur zgjedhjet. Por ky debat është shterpë për aq kohë sa modeli organizativ i PS prej ditës kur Edi Rama ka marrë drejtimin është modeli fitues britanik i laburistëve, i cili ka sanksionuar qartë që kryetari i PS zgjidhet me parimin “një anëtar një votë” dhe Rama është zgjedhur kështu në 2009 dhe atëherë gara ka qenë e hapur dhe mund të kishte marrë pjesë kushdo. Dhe sipas këtij modeli, kryetari i partisë kur fiton zgjedhjet është automatikisht kryeministër dhe mandati i tij automatikisht quhet i rinovuar deri në përballjen e radhës zgjedhore. Ajo që do të ndodhë në kongres është diçka që e kemi thënë prej kohësh: kryetari i PS është në vijim legjitim të mandatit të konfirmuar me votë popullore në dy palë zgjedhje. Ne e kemi të sanksionuar në statut se zgjedhjet e përgjithshme janë ato që konfirmojnë mandatin e kryetarit të partisë. Pra, mandati i Edi Ramës është konfirmuar më 2013 dhe deri në 2017, kur do mbahen zgjedhjet e radhës, ky debat është i sajuar”, ka deklaruar Balla. Ky është sinjali se në Kongres nuk do të diskutohet mandati i kryetarit. Nuk është e qartë nëse Blushi do të depozitojë platformën dhe kërkesën për kandidim. Dhe as nëse një akt i tillë do të cilësohet shkelje statutore. Ky fërkim krijon një klimë mbytëse që nuk është habi ta nxjerrë Ben Blushin nga gara elektorale e vitit 2017.