Çështja e biletës së shërbimit urban në Tiranë përfundon në Gjykatë. Këshilltarët demokratë në Bashki kanë depozituar sot padinë përkatëse, shoqëruar me deklaratën se rritja e çmimit është akt abuzib. “Sot në emër të Partisë Demokratike dorëzova në Gjykatë kërkesën për shfuqizimin e menjëhershëm të vendimit të Erjon Veliajt për rritjen me rreth 40% të çmimit të biletës së transportit urban qytetas në Tiranë, si një akt abuziv që do të rëndojë më tej xhepat dhe jetën e qytetarëve të Tiranës. Që në fillim Partia Demokratike, e ka konsideruar këtë akt si një afere të pastër korruptive të lidhur në fushatën elektorale midis operatorëve të transportit urban dhe Erjon Veliajt, e cila do t’u kushtojë qytetarëve të Tiranës nga xhepat e tyre plot 6 milionë dollarë më shumë çdo vit...Nevoja e këtij xhepisti për ta kryer aktin me shpejtësi dhe pa u pikasur, ka bërë që vendimi i Këshillit Bashkiak për rritjen e çmimit të biletës të jetë i pavlefshëm për shkak se nuk janë zbatuar afatet dhe procedurat ligjore për t’i dhënë vlefshmëri juridike këtij akti. Gjithashtu ne kemi kërkuar nga Gjykata marrjen e masës së sigurimit të padisë dhe pezullimit të efekteve të këtij vendimi të paligjshëm e abuziv deri në shqyrtimin e çështjes në themel për shkak se pasojat që sjell për qytetarët ky akt, janë të rënda dhe të parikuperueshme”, tha këshilltari Fabjan Topollaj. Më herët kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj, ka dklaruar se është bërë vetëm indeksimi i çmimit, por jo rritja e tij.