Departamenti amerikan i Shtetit, përmes një njoftimi zyrtar të pasdites së kësaj të enjteje ka bërë të ditur se Sekretari i Shtetit, John Kerry do të vizitojë Tiranën më 14 shkurt.
Ndalesa e Sekretarit Kerry në Shqipëri është në vazhdën e një udhëtimi 5-ditor, që ai do ta nisë me ndalesën në Mynih të Gjermanisë, ku do të marrë pjesë në Konferencën e 52-të të Sigurisë. Në këtë ndalesë, ai do të marrë pjesë në takimin e Grupit Ndërkombëtar në Mbështetje të Sirisë (ISSG) për të diskutuar mbi mënyrat sesi të përshpejtohet dhënia fund e konfliktit sirian.
Më tej në Tiranë, Sekretari Kerry do të takohet me krerët më të lartë të qeverisë shqiptare, për të diskutuar mbi integrimin e mëtejshëm euroatlantik të Shqipërisë, si dhe bashkëpunimin e ngushtë dypalësh me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.