Përfaqësuesit ligjorë të dy aksionerëve të Top Channel, kanë depozituar një kallëzim në Prokurori, ndaj gjykatëses Teuta Hoxha pas një vendimi të marrë prej saj në seancën e datës 5 shkurt që i jepte të drejtën e administrimit të kanalit për fazën kalimtare, Vjollca Hoxhës me 8% të aksioneve. Ky vendim sipas dy aksionërëve të tjerë konsiderohet i jashtëligjshëm dhe i falsifikuar.

Ky hap shënon një përshkallëzim të mëtejshëm në përplasjen ligjore mes dy palëve që synojnë të marrin kontrollin e televizionit të fuqishëm në vend. Sipas CityNews.al Mosmarrëveshjet e forta lindën pas padisë së ngritur në gjykatë në janar nga Vjollca Hoxha, mbartëse e 8% të aksioneve në Top Channel ndaj Albert Sinos titullar i 40% të aksioneve dhe Aurel Baçit me 20%. Vjollca Hoxha hapi një çështje gjyqësore ndaj dy aksionerëve që zotërojnë shumicën e aksioneve, duke pretenduar se kontrata me anë të së cilës bashkëshorti i saj i ndjerë Dritan Hoxha u kishte shitur atyre aksionet, ishte e paligjshme.

Pala e aksionerëve të shumicës pretendon se ligjin për mediat e ndalon kalimin e shumicës së aksioneve të një kanali televiziv në një dorë të vetme.