Nisma e qeverisë për ngritjen e Byrosë Kombëtare të Hetimit duket se do të mbetet pezull pasi rekomandimeve të Komisionit të Venecias, por edhe qëndrimit që ka LSI për këtë çështje. Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani tha për emisionin “Tonight” se opinioni i Venecias propozon një strukturë që mund të mos emërtohet Byro Kombëtare e Hetimit sipas modelit amerikan.

“Nuk e di çfarë ndodhi, por SPAKU, që është struktura antikorrupsion e këtij shteti, duhet bërë. Do bëhet me çdo kusht brenda kuadrit kushtetues, ligjor, sipas modelit të gjykatës dhe prokurorisë së krimeve të rënda duke përdorur po të doni ju edhe modelin kroat që për mua dhe sipas analistëve ka qenë më i suksesshmi. Modele të tjera na kanë çuar në gjueti shtrigash dhe nuk kemi ndërmend të bëjmë reformë për gjueti shtrigash, por reformë për të luftuar korrupsionin. SPAKU do duhet të futet edhe në hullinë që ka thënë Venecia”, u shpreh Manjani. Sipas tij, kjo strukturë nuk ka si të jetë pjesë e Ministrisë së Brendshme.