Majko hodhi gruin e zgjedhjeve të parakohshme dhe PD-ja, apo një pjesë e saj po i rend nga pas. Edi Paloka, kryetar i Grupit Parlamentar të PD-së, deklaroi sot në një prononcim për Top-Channel, se reforma në drejtësi është mirë të bëhet pas zgjedhjeve të parakohshme. “Ka edhe një rrugë tjetër. Ka zgjedhje dhe pastaj reformë. Sepse përderisa kemi qartazi vullnet të munguar nga Edi Rama për të bërë edhe reformën në drejtësi, pse jo, këtë reformë mund ta bëjë Parlamenti i ardhshëm me një vullnet të plotë”, tha Paloka. A mund të jetë ky skenar real? Natyrisht që jo, të paktën sa i përket reformës në drejtësi, pasi është e pamundur të mendohet se parlamenti i ardhshëm, në kushtet kur vendimmarrjen politike e kanë të njëjtët, do të ndrisë ndonjë gjë më mirë se Parlamenti aktual. “Edi Rama duhet të largohet që shqiptarët të zhvillojnë zgjedhje të lira e të ndershme dhe më pas të kenë një qeveri që realisht të punojë për interesat e tyre”, shtoi Paloka, një fjali që e kemi dëgjuar 25 vjet me radhë nga të gjithë.