Kongresi i Partisë Socialiste përfundoi dhe ovacionet në kësi rastesh janë të pashmangshme nga ata që janë pjesë e tij. Shpresa se analizën reale do ta bëjnë ata që kanë përvojë në këto punë e zhbën disi një intervistë e Servet Pëllumbin për gazetën “Dita”, sipas të cilit Kongresi e çon PS-në në drejtimin e duhur. “U konfirmua një mbështetje e fuqishme për këtë mazhorancë qeverisëse dhe për reformat e thella që ajo ka ndërmarrë. Do ta quaj një kongres të konfirmimit të kësaj mazhorance dhe që të mbush me besim për të përmbushur jo vetëm një mandat të suksesshëm, por që të krijon edhe bindjen se jemi në rrugën e duhur për të fituar edhe mandate të tjera. Ky ishte Kongres që konfirmoi se e majta ka potenciale të mëdha dhe mund ta çojë përpara këtë vend, si asnjë forcë tjetër politike. Jam shumë optimist për këtë”, thotë Pëllumbi. Për sa i përket temës së zgjedhjeve si standard statutor dhe politik, “figura emblematike e PS-së”, siç e quan “Dita”, nuk ka për të thënë ndonjë gjë. Sipas Pëllumbit dhe sipas pyetjeve që i janë drejtuar, është një fakt i gëzueshëm shtimi i numrit të anëtarëve të partisë. “Ky është një nga faktet më të gëzueshme për Partinë Socialiste. Pra, është besimi i një elektorati të gjerë dhe gjithnjë në rritje, sidomos nga të rinjtë, që të mbush me optimizëm. Pavarësisht nga vështirësitë aktuale, të cilat unë i mendoj të përkohshme, ky vërshim në anëtarësime, është mjaft shpresëdhënës dhe një mbështetje e fuqishme për reformat. Prandaj dhe unë nga ky Kongres ndihem mjaft i kënaqur”, tha ai. Duke parë këto përgjigje dhe vlerësime nuk mbetet veçse shija e asaj thënies së njohur se “krisma edhe po ka patur ato kanë qenë diku larg”.