Komisioni i posaçëm për reformën në Drejtësi ka hartuar një draft të pëlqyer si nga maxhoranca dhe nga opozita për të vendosur Byronë Kombëtare të Hetimit në varësi të Prokurorisë. Në mbledhjen me dyer të mbyllura, është arritur marrëveshja, për Njësinë Antikorrupsion që do të luajë rolin e FBI-së. Në këtë mënyrë Partia Socialiste tërhiqet nga drafti i ardhur nga Qeveria, sipas të cilit Byroja Kombëtare e Hetimit do të ishte në varësi të Ministrisë së Brendshme. Ky draft u kundërshtua si nga Partia Demokratike, ashtu edhe nga Lëvizja Socialiste për Integrim, të cilat nuk e pranonin këtë institucion të ri në varësi të Sajmir Tahirit. Për gjetjen e dakordësisë për Byronë Kombëtare të Hetimit u angazhuan fort si ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu, ashtu edhe ambasadorja e Komisionit Europian, Romana Vlahutin.