Ministri i Jashtëm i Shqipëriosë, Ditmir Bushati, publikon sot një shkrim në të cilin bën një sintezë të vizitës së fundit në Greqi. Pasi vlerëson se ardhja në pushtet e socialistëve e çtensionoi raportoin me Greqinë fqinje, Bushati, kalon në trajtimin e problemeve që ai i ndan në tre kategori: “Në grupin e parë: çështjet e trashëguara nga e kaluara, ku përfshihen çështja e Ligjit të Luftës; çështja e pronave të shqiptarëve të sekuestruara nga Greqia gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore; çështja e të Drejtave të Njeriut të popullsisë çame dhe pasardhësve të tyre. Në grupin e dytë: çështjet e së tashmes, që kanë një impakt mbi jetën e përditshme të qytetarëve, ku përfshihet puna e komisioneve të përbashkëta dypalëshe, si dhe çështjet konsullore. Në grupin e tretë: çështjet që kanë një rëndësi të veçantë për të ardhmen. Delimitimi i Shelfit Kontinental dhe i Zonës Ekskluzive Ekonomike është sigurisht një çështje kyçe. Por nuk duhet të harrojmë nxitjen e marrëdhënieve tregtare dhe bashkëpunimin për sigurinë energjetike”, shkruan ministri(http://www.mapo.al/2016/03/nga-diplomacia-e-barrikadave-drejt-bashkepunimit-pa-tabu). Më tej ai shtron një kërkesë konkrete për Athinën zyrtare, si një shenjë për të ecur më tej me marrëdhëniet mes të dyja vendeve: “Për të hapur një faqe të re në marrëdhëniet tona, fillimisht duhet të shfuqizohet ligji i luftës. Është e vështirë të projektojmë një të ardhme të përbashkët, të qëndrueshme, pa një qasje konstruktive ndaj së shkuarës. Lufta e Dytë Botërore mes nesh duhet të marrë fund”, vijon ai. Kërkesa në thelb e ka brenda edhe ofertën e plaës shqiptare: Bushati shkruan më sipër për “çështjen e të Drejtave të Njeriut të popullsisë çame dhe pasardhësve të tyre”, duke skualifikuar termin “çështje Çame”, si afirmim i një pretendimi me natyrë politike që implikon kërkesa territoriale. Thënë kjo, kompromisi është i qartë dhe mbetet për t'u parë nëse pala greke do të avancojë më tej apo do të marrë në konsideratë këtë kërkesë, nisur nga përvoja e hidhur me shtetin shqiptar, që i ndryshon qëndrimet sipas partive që vijnë e ikin nga pushteti. Për këtë arsye do të ishte e udhës që “drafti” që propzon Bushati të konfirmohej edhe nga partitë e tjera kryesore në Shqipëri.