“Boikeni, Arbri dhe nacionalistët e tjerë”. Kështu titullohet një opinion i sotshëm i Halil Matoshit në gazetën “Koha Ditore”. Siç mund të merret me mend, Matoshi trajton çështjen e deportimit nga Kosova të dy shtetasve shqiptarë, aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosja, Arbër Zaimi dhe Boiken Abazi. Ideja e Matoshit është se në trajtimin e këtyre problemeve që nxisin qëndrime emotive, duhet vështruar ftohtë dhe referuar vetëm ndaj ligjit. “Struktura shoqërore e quajtur ”komb” po del nga historia për t’ia lëshuar vendin shtetit modern që përthith fuqitë kombëtariste, për t’i rikthyer shtetasit në ligj dhe emancipim, thjesht për t’i orientuar ata në një projekt madhor që është perëndimorizimi i shoqërisë e jo të kërkuarit strehë në ekstremizmat fetarë dhe politikë…”, shkruan ai. Kjo nënkupton një kritikë për thuajse histerinë që kërkoi të ngrinte VV-ja pas vendimit për deportim të dy shtetasve shqiptarë, duke iu përmbajtur përherë emocioneve me sfond nacionalist.

“Deportimi i Boiken Abazit fillimisht nga ana e policisë kosovare dhe pastaj edhe i Arbër Zaimit (me masa më të zbutura) u bë problem madhor kombëtar dhe medial, sepse hataja qëndron në faktin se ata përkasin në lëvizjen e Albin Kurtit, “Vetëvendosje”, e cila angazhohet për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, ndërsa për qindra shtetas të Shqipërisë (më së shumti romë që vijnë në Kosovë për të lypur lëmoshë) që deportohen për shkelje të ligjit kosovar për të huajt ose për krime të ndryshme dhe anasjelltë, për shtetasit kosovarë që po ashtu deportohen për delikte të ndryshme, askush s’e thotë asnjë fjalë”, vijon Matoshi, për të konkluduar se “Pas Luftës së Dytë Botërore flamurin e nacionalizmit shqiptar paradoksalisht e ka bartur e majta shqiptare madje edhe stalinistët e veshur me kostum rozë dhe po ashtu, paradoksalisht, neoenveristët që janë në pushtet gjithandej në trevat e banuara me shumica shqiptare. Mirëpo, duket se lideri shpirtëror i VV-së, Albin Kurti, po ndryshon kursin e nacionalizmit shqiptar, nga ai folklorik tek nacionalizmi etatist, për ta mbrojtur Republikën nga ndikimet e jashtme dhe nga rrëzbitja e brendshme. Shqiptarët thjesht duhet të mësohen të jetojnë në harmoni me ligjet, pra të kultivojnë më shumë kulturë shtetërore…”(http://koha.net/?id=31&o=1201).

Interesante mbetet gjithsesi që Matoshi nuk kujtohet se Albin Kurti, ishte i ftuar nderi në kongresin e PS-së, një parti që ka traditë kultivimin e nacionalizmit etatizt për të cilin flet publicisti kosovar!

Deportimi ka një përgjigje që duhet të kalojë vetëm nga ligji dhe jo nga politika: a është vendimi i policisë në përputhje me ligjin? Matoshi na thotë që po dhe në fakt, askush deri më sot nuk ka mundur të ngrejë pretendime me karakter juridik ndaj këtij vendimi. Duan apo nuk duan nacionalistët, ata që pëllasin se janë të tillë, apo edhe ata që e kanë vokacionin nacionalist, i cili kapërcen jo rrallë në shovinizëm, në raport me ligjin nuk ka të veçantë. Rasti është një shembull i mirë edhe për Shqipërinë, e konsideruar prej gati 100 vjetësh një shtet qesharak dhe joserioz. Është shembull i mirë pasi ai vjen si pasqyrë e duhur për të kuptuar se çfarë absurditeti dhe se në çfarë primitiviteti ushtron drejtësi një institucion si Gjykata e Lartë, e cila me një vendim të paprecedentë nxori si të pafajshëm thuajse, shtetasin Ismail Morina, i ndaluar me dy armë pa leje në makinën e tij. Gjykata referon në pjesën arsyetuese edhe rolin e Morinës në ndeshjen e Beogradit të 14 tetorit 2014, duke konsideruar se atij i ishte rrezikuar jeta, një rrethanë që sipas Gjykatës shqiptare, nuk ishte marrë në konsideratë nga policia. A mos vallë Morina u arrestua duke u fshehur gjëkundi, apo duke tentuar të hynte në ndeshjen Shqipëri-Serbi në Elbasan? Si ka mundësi që një gjë e tillë si Gjykata e Lartë e Shqipërisë nuk e merr në konsideratë këtë rrethanë për të parë se Morina nuk po sillej si i kërcënuar? Përgjigja është e thjeshtë: në logjikën antishtetërore të një institucioni si ky ka vepruar po ai “emocion”- llogari - urdhër dhe po ajo histeri nacionaliste, e cila sheh te njerëzit disa qytetarë të mirë dhe disa të këqinj. Për fatkeqësinë e të gjithëve kuptohet, qeverisin dhe mbajnë poste nacionalistë milionerë.