Milena ka propozuar disa ndryshime ligjore. E kemi fjalën për Milena Hariton që për ata që nuk e dinë është ministre e Inovacionit në qeverinë e Edi Ramës. Nevoja për këtë saktësim të detyrës i duhet njohur për meritë ministres, pasi ai provon se Milena ja ka dalë të mos përflitet, e as të flitet, brenda një qeverie për të cilën ç’a nuk është thënë. Mirëpo Milena ka vendosur të dalë në dritë, të marrë pak vitaminë “D” si i thonë, se kur strukesh të bie edhe imuniteti.

Propozimi i Milenës është për median online, ose dixhit – shtypin, një shfaqje e kohëve të fundit,  me gjenealogji të varfër, por fenomenologji të gjallë. Me këtë duam të themi se media online nuk ka shumë jetë në këtë botë, se ajo është e lirë për vetë mundësitë që ofrohen nga premisat teknologjike pa të cilat nuk mund të kuptohet. Si e tillë ajo mund të asociohet me të gjitha mëkatet, por jo me mëkatin e martesës me pushtetin dhe lapërdhinë që vjen nga pas. Pasi edhe lulëzimi i saj është shumë i lirë dhe është e pamundur që rrethi vizioz i presionit - pushtet, kosto, media, vijë editoriale - të mbyllë çdo dritare dixhitale. Pra media online është e pamartuar me pushtetin, pasi e tejkalon atë me përkufizim. Kjo nuk e shqetëson shumë pushtetin, as Milenën, e cila ka vënë re se fenomenologjia është shqetësuese, dinamika e shumimit mediatik, që sjell me vete edhe probleme jo të vogla profesionale.

 Çfarë ka dashur të bëjë Milena me ndërhyrjen e vet? Së pari ka bërë atë që quhet përafrim me rekomandimet e BE-së. Së dyti, dhe më e rëndësishmja, po kërkon t’i japë një burrë medias online, ndonëse jo ta martojë, nëse mund të shprehemi kështu. Pra nuk të pëlqen të “martohesh”? Atëherë do sillesh si e tillë. Sepse kështu është etike.

Propozimi, qoftë edhe për ngacmim onomastik na çon te Malena, ajo e filmit të Tornatores, që luhet nga Belluçi. Çfarë bënte Malena? Ajo i prishte terezinë gjithë qytetit me bukurinë e vet. Ndaj edhe graria, u inatos shumë. E mori zët. Dhe të kujtojmë se Historia e vërtetë është ajo që bëhet nën zë, aty ku kanë pushtet gratë. E morën zët sepse ishte pasqyra e fytyrës së tyre, që për ta thënë me atë që kemi parë në film, nuk ishte gjëkundi. Përfundimi i mençur i Tornatores është se qyteti ra në paqe kur Malena u rrah, kaloi nga shtëpia publike, e pastaj rimori burrin që kishte. Pra pasi pamjes fizike të pakonkurueshme iu shtuan spaletat e moralit të përgjithshëm të qytetit, që kështu ia hoqi joshjen fatale Malenës. Por edhe cilësinë e “pasqyrimit” të shëmtisë.

Kuptohet, media online nuk e ka këtë virgjëri në ekzistencën e vet, as këtë joshje. Por ajo ndryshon nga ato mediat tradicionale që siç dihet “i kemi në xhep”, ose i “fusim në xhep”. Ndaj pa ta sistemojmë këtë punë njëherë me parimin: “TVSh-në vetëm, se të tjerat...”.

Shfrytëzojmë rastin e ta pyesim Milenën, nëse na lexon kuptohet: Nëse mediat online, do të publikonin imazhin e saj, apo të kolegëve të vet në qeveri, me atë frymë humori të zi, që përdor “Charlie Hebdo”, si do të konsiderohej? Apo kemi në xhep Kodin Penal? 

Shaptilografisti