Stefano Boeri, arkitekti italian i përfshirë në disa projekte për Tiranën, ka dhënë një intervistë për Top-Story. Boeri jep edhe disa mendime për kryeqytetin shqiptar për të cilin mendon se “duhet zhvilluar së brendshmi”. Më poshtë dy nga përgjigjet e tij:

Plane të cilat kanë qenë “të Ramës”, “të Bashës”, por kurrë plane “të Tiranës”. Cili do të ishte dallimi i këtij të riut nga të tjerët? Pra, cila do të jetë firma e një eksperti, e një arkitekti, sepse Tirana gjithmonë ka pasur firmën e arkitektëve politikë, kjo që nga kohërat e Enver Hoxhës.

Dua të them dy gjëra. Unë vij nga një vend si Italia, aty ku janë planifikuar numri më i madh i planeve urbanistike, të mbivendosur, të përzierë, rajonalë, lokalë, provincialë, metropolitanë… Dhe përsëri, Italia është një vend që është zhvilluar pa pasur parasysh planet. Unë jam një urbanist dhe fati më i keq i një projekti është të mbetet në letër. Projekti mund të jetë i pastër, perfekt, por duke mos pasur potencial. Prandaj ne e nisëm në një mënyrë krejt tjetër, nuk u nisëm me ide abstrakte dhe pastaj me një pastërti t’i transformonim idetë në norma. Por u nisëm nga problemet e qytetit, nga propozimet, nga energjia dhe burimet që janë sot të gjalla në Tiranë, e nga aty të krijojmë projekte që janë të realizueshme. Pastaj duhen disa rregulla. Pak rregulla, jo 50 të tilla. Unë bësoj, jo më shumë se 10 rregulla të mëdha për të ardhmen e këtij qyteti.

Cilat janë këto?

Këtë nuk e them tani. Po punojmë, por mund t’iu them ndonjërën. Për shembull, mendoj dhe e kemi biseduar tani, të ndërtojmë duke mbajtur në konsideratë gjelbërimin. Kjo është thelbësore, pra të vendosim një standard për gjelbërimin, që të jetë fikse për të gjitha pjesët e qytetit. Një rregull tjetër mund të jetë ai, që ta mendojmë qytetin të zhvillohet jo duke zaptuar fshatra, por duke u zhvilluar së brendshmi. Duke ristrukturuar ndonjë pjesë të asaj që është ekzistente. Një rregull i tretë…

Duke shkatërruar pallatet ekzistuese dhe duke ndërtuar të reja?

Të shkatërrosh nuk është gjithmonë gjëja e duhur. Kur mund të përmirësosh duhet të përmirësosh, por duhet të dish që ka pjesë të qytetit, që kanë ndërtesa aq të degraduara e që konsumojnë energji, sa është më e kushtueshme t’i rikthesh siç ishin, sesa t’i rrëzosh dhe t’i rindërtosh me një arkitekturë të re dhe me cilësi. Ky është një avantazh edhe për atë që është pronar. Prandaj unë besoj se duhet ta mendojmë këtë, ashtu siç duhet të mendojmë faktin, që një nga rregullat e mëdha – me të cilat po punojmë edhe në Berlin, Londër, Milano – është ajo e barazimit, që do të thotë të lejosh në bazë të disa vendimeve të bëra në plan, të zhvendosësh të drejtat vëllimore. Pra, nëse unë jam pronar dhe mund të ndërtoj 20, por të drejtat e mia janë të ndërtoj 100, atëherë këtë 80 unë e spostoj diku tjetër, ku mund të ndërtoj edhe më shumë. Kjo është diçka shumë e rëndësishme, që do ndërtuar me shumë kujdes, por shumë e rëndësishme.