Xhelal Mziu, kryetar i Bashkisë së Kamzës, ishte një prej degëve ku mbahej Partia Socialiste për të proporcionalizuar kriminalizimin e saj në raport me opozitën e Partisë Demokratike. Për socialistët kryebashkiaku i Kamzës ishte shembulli pse Lulzim Basha nuk mund të dilte i palagur nga kauza e dekriminalizimit. Megjithëse në proces gjyqësor, politika nuk hezitoi të shkelë parimin e  prezumimit të pafajësisë deri në vendimin e Gjykatës. Një prej shkallëve të Gjyqësorit, Apeli i Tiranës e ka shpallur të pafajshëm kryebashkiakun e Kamzës dhe ka urdhëruar pushimin e çështjes penale ndaj tij. Xhelal Mziu akuzohet nga prokuroria për shpërdorim të detyrës dhe shkeljen e barazisë në tendera. Sipas hetimit Mziu së bashku me dy zyrtarë të tjerë të bashkisë Kamëz kishin abuzuar me tenderin e rrugës Valias i Ri-Laknas, duke i sjellë buxhetit të shtetit një dëm prej disa milionë lekë. Prokuroria gjatë kërkoi lënien në fuqi të vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë, e cila e dënoi kryetarin e Bashkisë së Kamzës me 2 vite burg. Por Xhelal Mziu me vendim të Gjykatës së Apelit është i lirë nga çdo akuzë dhe sot është dita e tij. Të paktën deri në vendimin e formës së prerë nga Gjykata e Lartë, politika e baltës nuk përjashton as ata që mbi këtë terminologji kanë ngritur alibitë se politika ndryshe është majtas dhe ajo e shpifjes është djathtas. Dhe më e rëndësishmja këtë aforizëm që u adoptua në të majtë me ardhjen e Edi Ramës si kryetar po e përgënjeshtron Xhelali, të paktën ligjërisht.