Mesazhi i kryepeshkopit Janullatos drejtuar besimtarëve me rastin e të premtes së Pashkëve veç simbolikës fetrare përcolli edhe një konstatim për situatën që po kalon shoqëria shqiptare, si një realitet i pashkëputur nga zhvillimet rajonale dhe ato globale.

“Në ditët tona, një dëshpërim shumëformësh dhe i papërcaktuar ka pushtuar zemrat e njerëzve. Shumë gjëra që ndodhin rreth nesh dëshmojnë se sundon padrejtësia, se urrejtja mbizotëron, se e vërteta minohet. Dhe kjo ndodh në jetën e secilit prej nesh, në rrafsh lokal dhe global.”-theksoi kryepeshkopi Janullatos në kumtimin e tij.

Kreu i Kishës Autoqefale drejtoi edhe një thirrje për klerin dhe popullin ortodoks për të dalë nga ky dëshpërim. “Kjo “e kremte e të kremteve” na fton në një dalje shumëdimensionale: Dalje nga dëshpërimi për shkak të varfërisë, vështirësive të pakapërcyeshme ekonomike, trazirave në rajonin tonë, nga konfuzioni dhe pafuqishmëria që shkaktojnë valët e refugjatëve dhe pasojat e tyre. Dalje nga dëshpërimi që akumulon hidhërimi i padrejtësisë, i shpifjes, i pakënaqësisë dhe i zemërimit për shkak të mosmirënjohjes së atyre që kemi mbështetur ose nga tradhtia e atyre që kemi dashur.Dhe, për më tepër, marrim fuqi për të kryer ndërhyrje të guximshme dhe përpjekjet e duhura sociale duke filluar nga ambienti ynë i ngushtë, familja, qyteti, vendi ku jetojmë”-theksoi kryepeshkopi.