“Eshte e papranueshme te sulmohet uniforma e Policise se Shtetit, qofte edhe nga nje grua, por absolutisht edhe me e papranueshme dhe e patolerueshme te reagohet fizikisht, sidomos ndaj nje gruaje Kam kerkuar pezullimin e menjehershem te punonjesit e policise dhe lirimin e tij nga detyra Policia qe duam nuk mund te jete kjo qe na treguan pamjet e konfliktit mes punonjesit te policise dhe nje qytetareje. Cdo punonjes policie duhet ta dije kete dhe kushdo e harron nuk do te tolerohet ne asnje rast e per asnje arsye”. Kështu shkruante ministri i Brendshëm, Sajmir Tahiri në 21 shkurt të këtij viti, kur një efektiv i policisë së Tiranës reagoi dhunshëm ndaj një gruaje në protestën për parkun e liqenit. Një mesazh përmes të cilit ministri u përpoq të japë idenë se nervozizmi i shtetit ndaj qytetarëve që kundërshtojnë projektet e pushtetit nuk është frymë, por raste që meritojnë autokritikë dhe ndëshkimin sipas moralit të një qeverie që udhëhiqet nga barazia para ligjit. Mirëpo mesa duket jemi ende larg atij standardi. Edhe kjo qeveri operon me rregullin e vjetër, “sa të kalojë situata” se ndëshkimet në emër të autokritikës janë vetëm sa për sy e faqe. Këtë mund ta themi pasi efektivi i pezulluar bëri nja 2 muaj pushime dhe tani është rikthyer në detyrë.