Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj, ka zhvilluar sot një seancë dëgjimore, siç e quan ai, me banorë, për projektin e sheshit “Skënderbej”. Duke folur për procesin gjyqësor që po zhvillohet në Gjykatën Administrative për një ndërtim te diga e Liqenit në Tiranë, Veliaj, deklaroi se “nuk do të ketë ndërtime”. “Nuk më interesojnë vendimet e gjykatave. Më intereson populli i Tiranës”, shtoi ai.

Një rekord më vete ky i një karagjozllëku të llogaritur, i cili pas “popullit të Tiranës” fsheh duke zbuluar, anëtarësinë e PS-së, që edhe njëherë po shërbehet me tullumbacet e “kryetarit të ri në horizont” dhe hakërrimet e tij anti-Berishë. Dikush të paktën t’i thotë që të ulë marzhin e budallallëkut që shpaloset në show të tilla.

Sepse një vendim gjykate mund të jetë edhe ai për fallsifikim firme dhe zotëria pastaj mund të lërë jetim “popullin e Tiranës” për të cilin merakoset kaq shumë. Pasi vendimi i gjykatës zbatohet. Ky është sistemi.

Pa folur pastaj për sjelljen në raste të tjera kur kryetari u tregon njerëzve vendimin e gjykatës. Është e kuptueshme që një alamet pallati që ngrihet në një zonë të preferuar, pa kaluar më parë, apo pyetur kryetarin, të bën të ndihesh keq, pasi nuk është gjë e vogël. Por është një gjë të jesh kundër ndërtimeve dhe tjetër të thuash nuk pyes për gjykatën, duke u rënë trumpetave për protestë socialistësh që e shet si protestë qytetarësh.

Lojëra të cekëta, pas një interesi të hapur, që nuk mund të fshihet dot më. Kundër pallatit janë ndoshta të gjithë, por natyrisht, kjo nuk përligj vicklat e personit në fjalë, që nëse do të flisnim me tonin e tij, patjetër që do ta quanim: Pizevengu i Rilindjes. Se edhe kështu po sillet.

Erjon Veliaj: Nuk do te kete ndertim te diga e... by 3-14-15-92