Ministri i Industrisë dhe Energjitikës Damian Gjiknuri ishte i pranishëm sot në forumin “Projektet lider dhe modelet e reja të menaxhimit”. Në fjalën e mbajtur ministri deklaroi se me rëndësi për vendin tonë është projekti për interkonjuksionin Shqipëri-Kosovë, duke  bërë me dije se shumë shpejt do të vihet në funksion TEC-i i Vlorës përmes partneritetit publik privat.

“Do të hapë mundësi për vënien në punë të një aseti tjetër strategjik tonin që ka qenë fantazmë, siç është TEC-i  i Vlorës. Ne kemi siguruar fondet për studimin e fizibilitetit, madje shumë shpejt do të kemi mundësinë e afrimit të partnerëve privatë. Kemi synimin që të gjejmë një operator privat nëpërmjet partneritetit publik-privat që të marrë përsipër vënien në punë, riparimin, investimin e nevojshëm për konvertimin me gaz, megjithëse ato punojnë edhe me naftë edhe me gaz”, deklaroi Gjiknuri.

Termocentrali i Vlorës përfundoi së ndërtuari në vitin 2009, me një investim prej 110 milionë eurosh nga shteti shqiptar dhe u vu në punë vetëm për 2 vjet, për shkak se shfaqi një defekt në sistemin e ftohjes së tubacioneve. Në fakt KESH nuk e ka marrë ende në dorëzim TEC-in e Vlorës nga kompania ndërtuese, pasi ka probleme me impiantet e ftohjes, dhe palët gjenden në arbitrazh ndërkombëtar. Ky projekt ka nisur në vitin 2004 me një kredi prej 92 milion të Bankës Botërore, që shlyhet tashmë nga taksapaguesi shqiptarë. I planifikuar për të funksionuar me naftë, ai rezultoi me kosto të lartë të prodhimit të energjisë. Tani pas më shumë se 12 vitesh TEC-i kërkon para të tjera shtesë për ta kthyer teknologjinë nga me naftë, me gaz.