Ambasada amerikane është përfshirë në zhvillimet e brendshme politike shqiptare deri në kufijtë e një etike që sado formale është mirë të ruhet. Të gjithë e kanë mirëpritur angazhimin e kësaj ambasade dhe titullarit të saj që me procesin e dekriminalizimit, ndërkohë që e kanë mirëkuptuar kur në mënyrë metaforike dhe ironike krahasonte mosreagimin e shqiptarëve me delet.

Një ndihmë në proceset të vështira është shumë e nevojshme. Por sot ambasada ka ndikuar me thirrjen e saj mënyrën sesi deputetët duhet të votojnë, duke akuzuar një palë pjesëmarrëse në procesin e reformës në drejtësi si jofleksibël.. Ambasada ka akuzuar PD-në si jo fleksibël dhe më tej, ka mbështetur qeverinë që të vazhdojë e vetme në miratimin e saj.

Ky përbën incident të rëndë, pasi është ndërhyrje në sovranitetin e parlamentit, qoftë ky një parlament i inkriminuar. Nëse kjo ndërhyrje do të ishte në emër të parimeve apo një politike parimore, kjo edhe mund të justifikohej, meqenëse në daljet e tij, Donald Lu i referohet shpesh fjalëve si demokraci, drejtësi etj.. Po a është kështu? Mbetet e dyshimtë.

PD-ja dha dy përgjigje pas deklaratës së ambasadës: së pari publikoi një letër që kryeministri Edi Rama, i dërgonte kreut të Komisionit të Sigurisë, Flamur Noka, ku njoftohej ardhja në Shqipëri e 1900 muxhahedinëve iranianë. Së dyti, deputeti Oerd Bylykbashi, publikoi pjesë nga e-mail dërguar PD-së nga partenerët, ku varianti i vendeve të rezervuara ishte i pranuar. Një intepretim fillestar na thotë se letra për muxhahedinët është garancia që Edi Rama ka në këtë lojë, duke fituar mbështetje nga SHBA. Por nëse është kështu, atëherë thjesht drejtësia po ndërron duar. Qëndrimi i ambasadës përballë e-maileve merr një tjetër kuptim. Apo lexohet si i njëanshëm.

Ky tashmë është problem i diplomacisë amerikane që ka në Tiranë një ambasador që gjendet shumë i përfshirë në procese politike, ku ka humbur ekuilibrin e arbitrit, të cilin ia kishin njohur e toleruar të gjithë.