Ministri i Transporteve, Edmond Haxhinasto, e kaloi fazën e ekspozimit në media si pasojë e vdekjes së dy njerëzve në aksin Plepa – Rrogozhinë. Është e qartë se njësoj si Edi Rama nuk e lëshon Sajmir Tahirin, edhe nëse ndonjë ditë ky i fundit mund të mbjellë hashah në saksitë e zyrës në ministri, edhe Ilir Meta, nuk e lëshon “Mondin”, të kapur në faj. Jo me llafe, por me vendim gjykate.

Mirëpo problemet e Haxhinastos janë jo të vogla, pse e tillë është fusha e administrimit të ministrisë së tij. Ja si e raporton një media lokale, “sarandaweb.com”, inspektimin që ministri bëri në Ksamil sot: “Gjatë një takimi që ka patur sot në Ksamil për inspektimin e punimeve që po kryhen në rrjetin e kanalizimeve, ministri Haxhinasto është përballur me irritimin e banorëve dhe bizneseve në Ksamil. Ata kanë kërkuar nga ministri Haxhinasto që punimet që po kryhen të ndërpriten gjatë sezonit turistik, pasi po dëmtojnë rëndë bizneset e tyre”.

Më tej reagimi brilant i këtij ministri që i ka hyrë ters 2016-ta: “Ministri Haxhinasto  u solidarizua me shqetësimin e banorëve dhe bizneseve dhe drejtoi kritika të ashpra për firmat ndërtuese që kryejnë punë publike në të gjithë Shqipërinë. Duke denoncuar vonesat në punimet për ndërtimin e sistemit të ujërave të zeza të Ksamilit, Haxhinasto theksoi se në raste të shkeljeve të tilla do të ketë sanksione të forta ligjore deri në heqjen e licenesës së këtyre subjekteve”( http://sarandaweb.net/banoret-e-ksamilit-kritika-te-ashpra-ndaj-ministr…).

Ky është raportimi i kësaj medieje dhe mund ta marrim edhe me rezervë. Por nëse sjellim në kujtesë qëndrimet e këtij ministri, sa socialist aq edhe lësëist, apo anasjelltas, ky raportim është korrekt. Këtu: http://www.respublica.al/2015/12/27/tv-klan-bën-kronikë-për-kolaudimet-dhe-ministri-vrapon-për-një-inspektim-të-papritur, mund të lexohet se çfarë bëri Haxhinasto pak muaj më parë kur në media u ngrit problemi i radhës së gjatë dhe shërbimit jo cilësor për kolaudimin e makinave. Ministri rendi me vrap që të dukej me një kronikë, kritikoi konçesionarin dhe...iku në shtëpi. Me siguri ka bërë edhe ndonjë telefonatë.

Për ata që e dinë, shërbimi i kolaudimit vazhdon po njësoj. Po ç’punë ka ministri me këtë çcështje? Ai e tha të vetën. Njësoj si në Ksamil, ku instinkti prej politikani aparatçik, apo aprataçiku të cilit i kanë hapur një derë në politikë, mori formën e enës së shqetësimeve popullore.

Nuk është gjë e re. As e fundit. Kujtoni të gjithë fytyrën e “kalorësit të vrerosur” që i vë vetes ministri i Brendshëm, Sajmir Tahiri, sa herë e kapin me ndonjë zullum. Tri ditë duron njeriu.

Por këtu kishim idenë e thjesht një shkrimi në vëmendje të liderëve që shpresojmë të kenë parasysh se ndonjëherë përpjekjet e tyre minohen nga vartës të paaftë, që punojnë në mirëbesim, po ndoshta nuk u ecën.