LSI ka reaguar ashpër një ditë pas grabitjes spektakolare në pistën e aeroportit t "Nënë Tereza", duke e quajtur ngjarjen cënim të rëndë të sigurisë kombëtare. "Në cilësinë e anëtarit të Komisionit të Sigurisë Kombëtare do të kërkojë që sot të mblidhet menjëherë Komisioni i Sigurisë dhe të marrë në analizë këtë ngjarje të rëndë që ndodhi në aeroportin e Rinasit, në pistën e aeroportit të një vendi anëtar të NATO-s, por njëherësh i kërkoj edhe Presidentit të Republikës të thërrasë Këshillin e Sigurisë Kombëtare posaçërisht për këtë ngjarje, të rëndë, të shëmtuar e të patolerueshme!”, - u shpreh Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së.
Rama hodhi dyshime serize mbi implikimin e policisë në këtë ngjarje. “Ngjarje të tilla nuk mund të mbulohen me statistika që si hyjnë në punë askujt dhe as me gërdufje nëpër konferenca shtypi! Ngjarja në Aeroportin ‘Nënë Tereza’ në Rinas është dëshmia e mungesës së angazhimit dhe seriozitetit në përmbushje të detyrimeve kushtetuese për garantimin e rendit dhe të sigurisë kombëtare. Nuk arrij të kuptoj se çfarë tjetër duhej të ndodhte më shumë se grabitja në mes të ditës në pistën e aeroportit që të tundet shteti e të vihen përpara përgjegjësisë të gjitha institucionet e sigurisë kombëtare, të cilat janë sfiduar për të disatën herë në këtë mënyrë. Por ngjarja e djeshme është padyshim më e rënda se ndodh në një kohë kur Ministria e Brendshme flet për masa shtesë të sigurisë në të vetmin aeroport ndërkombëtar që kemi, menjëherë pas tragjedisë që ndodhi pas sulmit terrorist në Aeroportin e Stambollit. Cilat janë masat shtesë që banditët të hynin, të bënin çfarë deshën e të dilnin qetë-qetë sikur po dilnin nga një kafene rruge? Është e pafalshme, është e patolerueshme!”, - u shpreh Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së.