Presidenti turk Reccep Tayyip Erdogan ka folur nga Stambolli, në aeroportin e të cilit është pritur nga një turmë njerëzish. Ai ka folur për tradhëti të një pakice ushtarakësh, ka premtuar se do të fitojë mbi ata që kanë organizuar grushtin e shtetit dhe ka bërë thirrje që njerëzit të dalin dhe të kundërshtojnë këtë strukturë ilegale. Nga sa është raportuar deri më tani, Erdogan ka akuzuar edhe Gulenin për mbështetjen e grushtit, ndonëse ky i fundit e ka dënuar atë që po ndodh. Në terren ngjarjet paraqiten kaotike: parlamenti është goditur nga ajri dhe 12 persona janë plagosur. 17 policë janë vrarë nga goditjet e një helikopteri, ndërkohë që një helikopter i organizatorëve të grushtit është rrëzuar nga forcat ajrore. Kreu i forcave ushtarake speciale, gjenerali Zekai Aksakalli ka deklaruar se situata është nën kontroll, por asgjë e tillë nuk po duket. Luftime janë zhvilluar në Ankara dhe të shtëna janë dëgjuara edhe në Stamboll. Zyrtarët e lartë të BE-së kanë shprehur mbështetje për "institucionet e zgjedhura demokratikisht".