Diskutimet në seancën e sotme plenare janë përqendruar në reformën në drejtësi dhe në kalimin e Kodit të ri Penal. Përfaqësues të opozitës kanë mbajtur si temë arritjen e konsensusit, që sipas tyre i jep meritë PD-së dhe LSI-së, meqenëse PS-ja dhe kryeministri tentuan kalimin e reformës me 94 vota. “Ai bëri gjithçka kundër konsensusit në dhjetëra raste. Ai i bëri gropën konsensusit por në të gjitha rastet ai ra vetë brenda. Përdori miliona euro për të groposur konsensusin...Në këtë proces fitoi edhe LSI që në momente kritike mes konsensusit dhe bashkëqeverisjes zgjodhi konsensusin”, tha Sali Berisha, ish-kryeministër. Pas kësaj fjale, të cilën Berisha e ka patur të shkruar, ka nisur një replikë, e iniciuar nga Kryeministri Edi Rama, e cila në fakt ishte kërcënim reciprok për burg.

Debatet:

Rama: Berisha me fjalim të shkruar si dëshmitarët e rremë të Enver Hoxhës. Bëre mir se pas reformës do bësh dhe shumë fjalime të tjera me shkrim.

Berisha: Falenderoj kryesinë e parlamentit që sot e bëri ditë pune. Me vendimin tënd për të shpallur ditë pushimi një ditë si kjo të cilën të gjitha mediat ta lidhin me një ngjarje tënden dhe unë i uroj 1000 vjet djalit. Ti nuk mund të bësh ligje të tilla sepse pastaj do presim ditëlindjen tënde të bëjmë pushim…

Rama: Fakti që në ditë pushimi bëre fjalim me shkrim tregon sa i lumtur je që kaloi reforma. Do ta shikosh vetë  se si tërë prokurorët dhe gjykatësit pas trungut tënd do ikin aty ku e kanë vendin dhe drejtësia do pastrohet nga llumi. Përgatitu për më shumë fjalime me shkrime.

Berisha: Po të garantoj që do përfundosh atje ku është miku yt Ponta sepse ai ka 1/100 e lidhjeve të tua kriminale.