LSI po përpiqet të mbledhë "traktet" që shpërndau direkt dhe indirekt për aleatin në qeveri dhe të disiplinojë veten brenda koalicionit pas humbjes së përkohshme të qetësisë nga kryetari i saj, Ilir Meta. Drejtues të saj janë angazhuar mediatikisht të përcjellin në publik idenë se emocionet në politikë duhen mirëkuptuar dhe çfarë mund të thuhet sot nuk vlen për nesër.
Sektetari i Përgjithshëm i saj, Petrit Vasili në një intervistë për Abc Neës, e vesh me nota patriotike tensionin e reformës, duke i njohur merita LSI-së që Shqipëria sipas tij nuk rreshqiti në një skenar si ai i Maqedonisë.
"Një konsensus i tillë në radhë të parë krijon një perceptim qetësie. Pra, nuk ricikloi tensionin apo konfliktin e radhës. Konsensusi prodhoi një politikë më solide dhe Shqipëria është më stabël. Falë një veprimi inteligjent, u davaritën hijet e zeza të Maqedonisë. Në të kundërt, nuk do të flisnim për raportet Meta-Berisha, Berisha-Rama, Rama-Basha etj., apo kushedi se çfarë"-tha Vasili për Abc Neës.
Megjithatë ofertat e LSI-së mbeten të hapura, nisur edhe nga dilemat që ka ajo për të ardhem. "Ky është një proces që do të kërkojë konsensuse të reja dhe mirëkuptime të reja. A do të ecim në këtë rrugë apo do të rikthehemi konfliktit? A do ta lëmë reformën të ecë apo do ta pengojmë?"-pyet Petrit Vasili.