Bashkia Sarandë, më saktë Këshilli Bashkiak i saj, ka miratuar një ide që presupozohet se i jep zgjidhje një problemi shumë të madh, siç është ai i regjistrimit të pronave në hipotekë. Këshilli Bashkiak në vite ka dhënë sheshe ndërtimi për mijëra qytetarë, por për shkak të proceseve ndërgjyqësore, apo për shkaqe të tjera, një pjesë e madhe nuk ka mundur të hipotekojë pronën e mandej të kryejë transaksione. Rasti më tipik ai i 800 familjeve që kanë kryer pagesat e blerjes së truallit, por për shkak se një ish-pronar doli në skenë, çështja u ndërlikua. Bashkia hodhi në gjyq palën tjetër, duke dalë në mbrojtje të qytetarëve, por ky është version teorik sa kohë nuk dihet fundi i këtij gjyqi. Në fakt Bashkia ka përgjegjësi pasi ka zyrtarizuar një akt administrativ siç është dhënia e të drejtës për ndërtim duke ndarë sipërfaqe të qytetit në plane urbanistike formale. Kjo situatë ka vite që vazhdon dhe gjendja juridike e pronësisë është një mishmash i paprecedentë. Dhe e paprecedentë është edhe zgjidhja që ofron Këshilli i Bashkisë, që duket se ka mbështetur propozimin e një këshilltari, bërë në mbledhjen e datës 29 korrik. I cili është:

Qytetarët do të hedhin në gjyq bashkinë e Sarandës në Gjykatën Administrative në Gjirokastër. Bashkia nga ana e vet, ndonëse palë e paditur do të mbrojë qytetarët, duke njohur përgjegjësinë. Çështja do të mbyllet me një seancë të vetme, pasi askuh nuk do të apelojë dhe me një vendim gjyqi që detyron regjistrimin në hipotekë të pronës. Kjo do të bënte efektiv titullin e pronësisë. Diçka që duhet të ishte bërë prej kohësh meqenëse në çdo rast Bashkia, e gjendur në proces krej akasidentalisht, duhet të mbrojë qytetarët.