Kryeministri Rama është munduar të mbajë lart profilin e ministrit të Brendshëm, Sajmir Tahiri dhe punën e policisë, por ngjarjet përgënjeshtrojnë gjithë lavdërimet që vijnë nga kryeministria, duke e nxjerrë policinë qesharake përpara publikut. Pasi hoqi përgjegjësinë për grabitjen e armatosur në aeroport, policia e Rinasit bëhet sërish protagoniste e një njgjarje që nxjerr zbuluar atë dhe jo vetëm. Gjatë pasdites Partia Demokratike doli me një deklaratë ku raportoi se një shtetas turk ishye arratisur nga Rinasi, pasi u ndalua nga policia në aeroport. Në deklaratën e PD-së thuhet “Personi megjithëse mbahej nën vëzhgim në zonën e tranzitit ka hyrë në territorin shqiptar, madje ka dorëzuar edhe pasaportën, dhe është larguar më pas nga kabina e kontrollit kufitar, aty ku duhej të ndalohej”.

Pas 3 orësh ka ardhur edhe reagimi i policisë. Ajo në sqarimin  saj thotë se “personi në fjalë  u transferua sipas procedures përkohësisht në zonën e transitit, por duke përfituar nga fluksi i madh i pasagjerëve kaloi tek zona e kontrollit  dhe më pas hyri ilegalisht në Shqipëri”. Më poshtë policia thotë se dokumentat e identifikimit të  shtetasit turk ndodhen tek  oficeri i Policisë kufitare pasi oficeri po plotësonte dokumentacionin përkatës, duke shtuar edhe frazën lapidar “Vazhdon puna për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes si dhe kapjen e shoqërimin e shtetasit turk për ta dërguar drejt Turqisë.”