(Pse duhet përmendur fshati Vevçan i Maqedonisë, kur epiqendrën e tërmetit e ka pasur më larg se Librazhdi?)
Në të gjithë botën tërmetet janë të paparashikueshëm. Por në Shqipëri, edhe pasi ndodhin, ne nuk mund t'i përcaktojmë epiqendrën. Ato na shpjegohen me ca koordinata të çuditshme që nuk ka Zot që t’i marrë vesh. Ja se ç’thotë njoftimi zyrtar:
“Një tërmet me fuqi 4.2 ballë të shkallës Rihter u regjistrua në hyrje të ditës së enjte 1 shtator 2016. Epiqendra e tërmetit që u regjistrua në orën 00.21 ishte 49 kilometra në jug të Tiranës, me vatër 15 kilometra larg qytetit të Librazhdit dhe 17 kilometra në lindje të Vevçanit të Maqedonisë, raporton “NOA.al” duke cituar burime zyrtare nga Instituti i Sizmologjisë në Tiranë.”
Pra, ka rënë tërmet "në jug të Tiranës dhe në lindje të Maqedonisë." (?!)... A ma shpjegon dot kush se ç’po ndodh me gjeografinë apo me gjeopolitikën në Ballkan? Mirë Tirana se është qendra më e banuar e Shqipërisë, po fshati Vevçan i Maqedonisë, pse duhet përmendur kur epiqendrën e tërmetit e ka pasur më larg se Librazhdi?

Po të besosh “NOA.al” që thotë se ka cituar burime zyrtare nga Instituti i Sizmologjisë në Tiranë, harta e Shqipërisë dhe e krejt Europës, ose ka ndryshuar nga ndonjë tërmet i madh kontinent-formues, ose ka ndryshuar krejt sitemi i pikave të orientimit dhe Veriu është bërë Perëndim e Jugu – Lindje. Ose në rajonin tonë, me demarkacione kurdoherë të diskutueshme, janë bërë ndryshime kufinjsh bashkë me emërtimet e qyteteve dhe ne nuk kemi marrë vesh gjë. Cila nga këto ka ngjarë? Lëkundjet sizmike që kanë ndodhur, kanë ndodhur, se janë ndjerë dhe i dëshmojnë shumë vetë. Gazetat japin një listë të gjatë të qytetarëve të ndryshëm që tregojnë përjetimet e frikshme që kanë pësuar në ato çaste nga katet e larta të pallateve të reja. Po ku pikërisht ka qenë epiqendra e tij? Në hartën e Shqipërisë, jepet një shenjë e kuqe e epiqendrës së tërmetit, që nuk tregon as jugun e Tiranës dhe as lindjen e Vevçanit të Maqedonisë?!

Koordinata më të çoroditura, që çorientojnë shqiptarë këtej e andej kufirit dhe maqedonas bashkë, nuk mund të ketë... Megjithatë, kudo që të ketë ndodhur tërmeti, e rëndësishme është që nuk ka dëme sidomos në njerëz dhe zyrtarëve u mbetet kohë të mësojnë më mirë pikat e orientimit. Katër janë të shkretat: Veri, Lindje, Jug dhe Perëndim.