Koço Kokëdhima, ish-deputet i Partisë Socialiste dhe mentori i Edi Ramës për një kohë të gjatë, duket se është hedhur në fushatë për të zhbërë atë që ndërtoi vetë. Për të zhbërë pushtetin personal të Edi Ramës, për të rifomatuar marrëdhënien me pushtetin, për të mbjellë te anëtarësia e PS-së se ka diçka që quhet PS përtej emrit të kryetarit.

Që nga Vlora, Kokëdhima bëri opozitarin e Edi Ramës duke vënë gishtin në ato fenomene që i mohonte deri më dje:

“Unë do të insistoj për ta zhvilluar dhe për ta bashkuar të majtën e Shqipërisë. E majta në Shqipëri i ka të gjitha kushtet dhe të gjithë luksin të planifikojë qeverisje dhe zhvillim afatgjatë të vendit. Nëse ne bashkojmë dhe modernizojmë të majtën mund t’ia dalim të mos i shndërrojmë institucionet e shtetit si tani, në inkubatorë votash përmes punësimeve partiake e jashtë kërkesave profesionale. PS-ja ka detyrimin që t’u japë mundësi qytetarëve që të luajnë rol për fatin e tyre, t’u japë mundësi qytetarëve dhe anëtarëve të thjeshtë të PS-së që të marrin pjesë në politikëbërje dhe në qeverisje. Asnjë punë nuk ndreqim dot në qoftë se do presim nga Zoti, n.q.s. nuk e bëjmë si duhet përfshirjen e qytetarëve dhe të anëtarësisë së gjerë të partisë në vendimmarrjen substanciale politike. Nuk i zhdukim dot varfërinë, krimin dhe korrupsionin, mërzitjen e mungesën e shpresës, pasigurinë dhe prapambetjen e gjithanëshme, padrejtësitë e pabarazinë ekstreme, nuk i zhdukim dot sekserët e emërimeve, koncesioneve, kullotave, hipotekave, sekserët e ALUIZNI-t apo ata të provimeve në shkolla, sekserët e gjykatave, sekserët e ajrit dhe të shpirtit në qoftë se nuk merr pjesë gjerësisht në politikëbërje dhe në qeverisje anëtarësia e thjeshtë e partisë ”-u shpreh Kokëdhima.

Ai ka kërkuar që edhe caktimi i deputetëve në lista të mos jetë e drejtë ekskluzive e kryetarit, duke “harruar” ndoshta sesi ishte po ai që imponoi rikandidimin e Erjon Braçes të cilin Edi Rama në vitin 2013 e flaku.